Drama e vogëlushes Çiko/U përpi nga flakët kur ishte në djep,shfaqet imazhi i saj

11 Janar 2022, 18:24

 

Një zjarr i madh, si pasojë e një shkëndije elektrike ra në shtëpinë e familjes Zhupani në vitin 2015, në fshatin Bletëz të Gramshit. Banesa u shkrumbua dhe prej vitesh ata jetuan në qiell të hapur. Zjarri që përfshiu banesën nuk kurseu as djepin në një nga dhomat e gjumit ku ndodhej Çiko, vajza e vogël e familjes. Flakët e zunë pabesisht kur ajo ishte në gjumë, ndërsa e ëma ndodhej jashtë banesës. Zjarri përshkroi trupin e foshnjes duke i shkaktuar djegie të rëndë. 7 vite pas kësaj ngjarje stafi i emisionit ’Pa Gjurmë’ në Report TV udhëtoi në këtë fshat të thellë të komunës Skëndërbegas për të parë nga afër situatën e vështirë, në të cilën ndodhen 6 anëtarët e familjes Zhupani. Një vend thuajse i harruar, ku shtëpitë numërohen me gishtat e dorës, mbërritja në destinacion ishte një rrugë e vështirë, pa infrastrukturë. Në krye të rrugës stafin e emisionit e priti i zoti i shtëpisë Asqeri Zhupani. 50-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe kempi i tij i invaliditetit është e vetmja e ardhur që ka kjo familje me 4 fëmijë, më e madhja 12 vjeçe dhe më e vogla 1 muajshe. Për çdo vit që kalon vështirësitë për këtë familje shtohen edhe më shumë, ndaj ata iu drejtuan për ndihmë emisionit ’Pa Gjurmë’. Me të hyrë në oborr priste vogëlushja Çiko, me fytyrën ëngjëllore dhe sytë që i shndritën nga gëzimi. Me shpresën se ishim mjekë, vajza buzëqeshi sapo pa në derë se dikush kishte ardhur për të. Pasojat e së shkuarës i kanë mbetur vragë në fytyrë dhe kokë duke i ka shkaktuar jo vetëm probleme në pamje por edhe në fizik. Me rritjen e saj djegia zmadhohet më shumë, duke rrezikuar t’i mbyllë syrin e majtë, hundën dhe gjysmën e gojës. Melekja, nënë e 4 fëmijëve rrëfen me dhembje si shpëtoi nga flakët të voglën, ndërsa shtëpia digjej. Një moment i vështirë ky për 37-vjeçaren që luftonte mes flakëve për shpëtimin e foshnjes, moment i cili ka shkaktuar jo pak traumë tek ajo. Nëna bën apel për ndihmë, duke shpresuar që kjo dhembje të marr fund, pasi ndërhyrja kirurgjikale për të cilën e mitura ka nevojë është shpëpim një orë e më parë.