E papritur/Nëna e kërkon prej 5 vitesh, ’Pa Gjurme’ zbulon live adresën e Altin Spahiut

14 Korrik 2022, 18:10

Me familjarët ka humbur kontaktet 5 vite më parë nga Anglia. Altin Spahiu jetonte në këtë shtet prej 22 vitesh, por kurrë nuk u kthye në atdhe. Djali nga Berati u rrit jashtë vendit, pasi emigroi ilegalisht që në moshë të re. Përgjatë gjithë këtyre viteve kontaktet i ka patur të rregullta me familjen, por vetëm me telefon, pasi kurrë nuk e shfaqte imazhin e tij. Familjarëve u ka mbetur në kujtesë fytyra e Altinit 25-vjeçar, mosha kur ai u largua dhe ka informacione të pakta mbi jetën që bënte në Angli. Sa më shumë kalonin vitet aq më shumë rralloheshin telefonatat me familjarët në Shqipëri. Me raste dërgonte para dhe u thoshte se ishte i pajisur me dokumenta angleze, por në Shqipëri nuk erdhi asnjëherë. Motrat ruajnë si kujtim vetëm një foto, që e gjetën në rrjetet sociale, por Altini e mbylli edhe atë adresë. Vitet e fundit nga pohimet e të birit, prindërit mësuan se ai punonte në një dyqan peshku dhe se bashkëjetonte me një vajzë. Nga telefonata e fundit me Altinin kanë kaluar 5 vite dhe 47-vjeçari nuk është bërë më i gjallë. Familjarët kanë dyshimet e tyre lidhur me aktivitetin e tij në Londër. Sot ata kërkojnë të mësojnë për fatin e të birit, duke iu drejtuar emisionit “Pa Gjurmë“, me një apel për ndihmë. Dy shokët e vetëm me të cilët ai shoqërohej janë kapur nga autoritetet britanike, një prej të cilëve ekstraduar në Shqipëri.