‘E takoja në disko, nuk më pëlqenta jeta e tij’/Zhduket i riu nga Tepelena,flet vëllai në Pa Gjurme

8 Korrik 2021, 19:35 | Përditesimi i fundit: 2021-07-08 19:35:58

Vitet e emigrimit pas ndryshimeve të mëdha që ndodhën në Shqipëri ishin të vështira. Sikundër një pjesë e mirë e të rinjve që aspironin një jetë në perëndim edhe për 27 vjecarin Kujtim Muçodemi ishte e njëjta ëndërr. Ai mori rrugën në drejtim të malit, duke u nisur ilegalisht drejt Greqisë nga Janina në vitin 1991. Ashtu i vetëm, me ëndrrat djaloshare, pasi kreu shërbimin ushtarak emigroi drejt tokës Helene. Për një vit me radhë familja nuk dinte ende se ku strehohej i riu asokohe, pasi nuk patën asnjë kontakt me të. Një vit më pas në Greqi niset edhe një nga tre vëllezërit e Kujtimit, së pari për të gjetur vëllanë por edhe për të punuar. Fati e deshi që të dy vëllezërit të takoheshin në Olimpia, aty ku Kujtimi i njohur me emrin grek si Lefter Papa punonte si kamarier, në një disco-club në pronësi të një pronari grek. Me sa duket 27-vjeçari asokohe ishte stabilizuar mirë, ndërsa me natyrën e tij rebele kishte miqësi me shumë femra shtetase greke. Një djalë i pashëm si ai, shqiptari nga Tepelena mesa duket kishte rrëmbyer zemrat e shumë prej vajzave të cilat shpesh vinin e merrnin me makinë. Kjo i ra në sy edhe të vëllait, i cili shpesh e këshillonte të kishte kujdes me lëvizjet që bënte. Një javë më pas Njaziu ndalohet nga policia dhe kthehet në Shqipëri. Ky ishte momenti që do të shkeputeshin përfundimisht kontaktet edhe me Kujtimin, i cili tashmë rezulton i humbur që prej 15 qershorit të vitit 1992. Por meraku për të vëllanë e ktheu sërish në Greqi, por nuk e gjeti më në Olimpia. Pronari grek ku i riu kishte punuar, pohoi se Kujtimi i kishte marr një javë leje dhe ishte nisur drejt Athinës, por nuk ishte paraqitur më në punë. Ai ishte larguar vetëm me rrobat e trupi dhe nuk kishte marrë me vete asnjë send tjetër personal. Në gjithë këto vite shumë gjëra kanë ndryshuar në familje. Prindërit i la gjallë, por me brengë. Nuk mësuan më kurrë për fatin e të birit, ata u ndanë nga kjo jetë me dhembje në shpirt. Vëllezërit dhe motrat bënë kërkimet e tyre për të mësuar se çfarë ka ndodhur me Kujtimi, disa herë i janë drejtuar edhe emisionit analog në Greqi, Fosto Tunel, por pa rezultat. Fotoja e tij është dërguar edhe në policinë greke, në Interpol gjithashtu familjarët kanë kërkuar, por deri më tani asnjë e dhënë konkrete nuk është zbuluar për fatin e djalit nga Tepelena, Kujtim Muçodemi, apo sikundër njihej në Greqi Lefter Papa.