Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 12 Mars 2025 – Receta/ Hipertensioni, dieta DASH më e mira/ Me çiftin e të rinjve

12 Mars, 16:10

Zonja Albana solli tre receta tepër të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Role me vezë të mbushur me djathë, proshutë dhe brokoli / Supë me pulë dhe oriz / Komposto me ftonj.

Hipertensioni është një nga problemet më të mëdha shëndetësore të kohëve moderne. Sipas statistikave, miliona njerëz në mbarë botën vuajnë nga presioni i lartë i gjakut, një faktor kryesor rreziku për sëmundjet e zemrës, goditjen në tru dhe probleme të tjera serioze shëndetësore. Por a mund ta mbajmë nën kontroll hipertensionin përmes ushqyerjes? Sa ndikon mënyra e të ushqyerit në hipertension dhe cilat janë gabimet më të zakonshme ushqimore që e përkeqësojnë atë? Sot në studion e “Rreze Dielli” do të flasim për hipertensionin dhe do të ndalemi në dietën DASH, një nga metodat më të rekomanduara për uljen natyrale të presionit të gjakut. Por çfarë është dieta DASH dhe si lindi ajo? A është e mbështetur mbi fakte shkencore dhe prova klinike? Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e kësaj diete dhe ku bazohet ajo sa i takon planit ushqimor? Nutricionisti dhe eksperti i mjekësisë holistike Altin Joka na tregoi dhe një regjim konkret ushqimor të një diete që njerëzit duhet të ndjekin.

Në studion e “Rreze Dielli” flasim me një çift shumë interesant, ata kanë jetuar jashtë Shqipërisë dhe kanë vetëm 6 muaj që kanë vendosur të kthehen përfundimisht në Shqipëri. Erik Birko, është një profesionist i dedikuar në fushën e fitnessit dhe mirëqenies fizike. I lindur në Gjermani, rritur në Greqi dhe formuar profesionalisht në Itali, ka pasur privilegjin të përjetojë dhe të mësojë nga kultura të ndryshme, duke ndërtuar një vizion të gjerë mbi trajnimin dhe kujdesin për trupin e njeriut. Ndërsa Anisa Peti ka një pasion të veçantë për kafenë dhe madje ka dhe një specializim për njohjen e llojeve të kafesë në botë. Çifti i të rinjve tregojnë ‘fillimin’ e tyre të ri në Shqipëri, ata tashmë janë prindër të një vajze të vogël. Ndër të tjera Eriku si një trajner fitnesi na tregon dhe si arriti që të dobësojë bashkëshorten e tij në kohë rekord pas lindjes së vajzës, duke u ndalur dhe në kujdesin që duhet të kenë gratë pas lindjes. Por flasim dhe për gabimet më të zakonshme që njerëzit bëjnë në përpjekjet për të ndërtuar një trup të shëndetshëm.