Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 13 Nëntor 2024 – Receta/ Përse nuk po shërohemi?!, Altin Joka/ Panairi i Librit 2024

13 Nëntor, 15:19

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Tambël orizi në tavë, recetë e ëmbël e traditës/ Kryelanë me speca / Petulla të shpejta me gjizë.

'Përse nuk po shërohemi?!', Altin Joka sjell librin e tij të dytë, një udhëzues i plotë drejt shërimit përtej ilaçeve. I ftuar në studion e “Rreze Dielli” autori Altin Joka shprehet se nëpërmjet këtij libri është përpjekur të krijojë një guidë të plotë për shëndetin. Gërshetimi i herbalizmit, naturopatisë dhe nutricionit sjell një qasje të integruar për mbajtjen e shëndetit në mënyrën më optimale. Shëndeti është një kompleks përbërësish i integruar, e jo i fragmentarizuar. Prandaj, në këtë libër, ushqimi, bimët, çajrat dhe aktivitetet janë trajtuar së bashku, duke krijuar një shëndet më të plotë. Mjekësia natyrore e shëndetit drejton energjitë e saj drejt shkaktarëve të sëmundjeve, duke ndjekur parimin e efektit domino. Ky libër shqyrton tematikat e ndarjes midis mjekësisë së stilit të jetesës dhe mjekësisë moderne. Ky libër është një përmbledhje e tematikave që çdo individ mund të hasë. E gjithë kjo është bërë për të ofruar një guidë të plotë, që do t’ju ndihmojë në momentet e vështira. Ky libër nuk është shkruar vetëm nga autori, por edhe nga shqetësimet dhe përvojat e të tjerëve. Shpresojmë që të gjeni në të atë që autori ka kërkuar ndër vite, një ndihmë modeste për shëndetin tuaj dhe të familjes suaj.

Nis sot edicioni i 27-të i Panairit të Librit në Tiranë, një ndër ngjarjet më të bukura të botës së letrave, i cili zhvillohet nga data 13 deri më 17 nëntor 2024 në Pallatin e Kongreseve. Nën moton “Të lexosh do të thotë: të jetosh, të zbulosh, të rritesh” ky panair do të shndërrojë Tiranën në një qendër të kulturës, duke bashkuar lexuesit, botuesit, autorët dhe përkthyesit për të festuar fuqinë e librit dhe ndikimin e tij në jetën e përditshme. Vetëm pak minuta para hapjes së Panairit të Librit “Tirana 2024”, kemi kënaqësinë të zhvillojmë një bisedë tepër të këndshme në studion e “Rreze Dielli” me drejtuesen e një prej shtëpive botuese më të njohura në vend, Loreta Berhami nga Botime Pegi, e cila do të na tregojë për surprizat e këtij panairi, titujt më të pritur, librat më të rinj, por dhe sugjerime për lexuesit e të gjitha moshave, të rritur dhe fëmijë.