Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Patëllxhanë të mbushur me gjizë / Speca në brumë të mbushura me mish të grirë / Supë verore me perime.
‘Leo Messi në Tiranë’, muralja gjigande bën jehonë në mediat botërore falë ‘Mural Fest’, Festivalit të ngjyrave dhe artit ku artistët më të mirë botërorë të muraleve, pikturojnë muret e ndërtesave të kryeqytetit duke lulëzuar fasadat e pajeta… Mural Fest Festival ka kaluar tashmë kufijtë dhe e ka kthyer Tiranën në një pikë të ngrohtë pritëse të artit, ku pallatet e vjetra të Tiranës, po lakmohen nga artistët më të mirë botërorë të muraleve. Mural Fest, tradita e një arti që nuk vdes kurrë, i cili nisi 7 vite më parë, ndërsa këtë vit merr një kuptim më të veçantë, artistë të shkëlqyer botëror vijnë dhe pikturojnë muret më të bukura të kryeqytetit. Mural Fest, një prej festivaleve më atraktive për të gjithë ata që e duan të bukurën, që jo vetëm u jep shpirt mureve më të bukura të qytetit, por edhe lë gjurmë në hapësirat urbane të tij! Të ftuar në studion e “Rreze Dielli” kuratori Helidon Haliti dhe piktori artist i rrugës Franko Dine, për të folur për risitë e këtij festivali dhe përpos bukurisë dhe vështirësitë e realizimit të muraleve në godina të vjetra dhe shumëkatëshe.
Në skype nga Gjermania me Dora Koka, artistja shqiptare kontraverse që la arkitekturën për muzikën. Pse e mori këtë vendim dhe si është jeta e një muzikanteje “full time” në Berlin? Që e vogël Dora Koka nisi mësimet e pianos dhe kantos, duke e rritur pasionin për muzikën me kalimin e viteve. Në vitin 2003 ajo nisi studimet për arkitekturë në Tiranë, por shumë shpejt vendosi që të linte çdo gjë e të shkonte të jetonte në Gjermani ku transferoi dhe studimet e arkitekturës. Pas 5 vitesh punë në një kompani gjermane, Dora rrëfen se ngjarjet në jetën e saj private dhe profesionale sollën vështirësi në gjetjen e vetes si individ edhe pse kishte nisur të luante me një grup muzikor. Zbulimi i spiritualitetit ishte një revolucion në jetën e saj, filloi të praktikonte meditimin për të ndryshuar mendësinë dhe perceptimin e saj për botën. Zhvendoset në Berlin ku njohu skenën e madhe muzikore dhe zhvilloi talentin e saj, duke mundësuar që në shtator të 2022 të dilte albumi i saj i parë muzikor. Sot, ajo është e angazhuar ‘full time’ në muzikë duke performuar me bandin e saj tejet të suksesshëm.