Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 19 Maj 2023 – Receta / Problemet me kapsllëkun / Muzikali i rekordeve në Tiranë

19 Maj 2023, 15:52

Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Njoki në furrë me salcë domate dhe mocarela / Qofte të mbështjella me patëllxhanë në furrë me salcë domate / Qofte orizi me gjethe rrushi.

Me nutricionistin Altin Joka diskutojmë për problemet që sjell kapsllëku në organizëm, çfarë sëmundjesh shkaktohen nga mostrajtimi i tij për një kohë të gjatë dhe cilat janë mënyrat më efikase për të shpëtuar nga ky problem… Të gjithë në jetën tonë kemi vuajtur më shumë se një herë nga problemet me jashtëqitjen, kapsllëku i cili në gjuhën mjekësore njihet me termin konstipacion. Si manifestohet konstipacioni, kur mund të themi që vuajmë nga ky problem? Cilat janë disa nga shenjat dhe stadet e shfaqjes? Shkaktohet vetëm nga shkaqe fizike apo dhe psikologjike? Cili është ndryshimi midis një zorre të irrituar dhe kapsllëkut? Përgjigjet e këtyre pyetjeve i marrim në studion e “Rreze Dielli” me nutricionistin Altin Joka, i cili tregon disa nga problemet serioze shëndetësore që sjell konstipacioni nëse nuk marim masa në kohë. Mënyra dhe sugjerime si mund të shpëtojmë prej tij, cilat janë ato ushqime që e përkeqësojnë këtë gjendje dhe që duhen evituar dhe cilat janë ato ushqime që duhen konsumuar më së shumti. 

Muzikali i rekordeve Guinness dhe shfaqja më e ndjekur në Evropë “Notre Dame de Paris”, bazuar në kryeveprën e Victor Hugo, për herë të parë do të jetë në stadiumin Air Albania më 28 maj. Një ndër historitë më mbresëlënëse të të gjithë kohërave vjen në Tiranë në një shfaqje të jashtëzakonshme nën interpretimin e Elhaida Dani dhe artistëve të tjerë. Nën muzikën e legjendës italiane Riccardo Cocciante dhe spektaklin e Luc Plamondon, “Notre Dame de Paris” është gati të mbajë peng për së paku 150 minuta zemrën e secilit të pranishëm në Air Albania Stadium më datë 28 maj. Jerina Lalaj, JL Consulting & PR Marketing, ndau detajet e fundit të këtij projekti gjigand që pritet të ndodhë në Tiranë, por jo vetëm, pasi pak ditë na ndajnë nga koncerti i këngëtarit të njohur grek, Nikos Vertis në stadiumin Air Albania, për t'u finalizuar më pas, me 22 qershor me koncertin madhështor të divës së muzikës shqiptare, Elvana Gjata.