Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Tavë ricikluese me bukë, vezë dhe kos / Gjellë me mish të grirë, karrota, bizele dhe kërpudha / Gjyveç pa mish me perime të stinës.
Kampionia e atletikës Luiza Gega tashmë me gradën “kolonele” rrëfen në studio sakrificat e sportit, sfidat dhe rekordet europiane. Historia e atletes me trajnerin e saj Taulant Stërmasi… Falë Luiza Gegës, Shqipëria ka tashmë një kampione europe edhe në atletikë. Ajo ka treguar se nuk di të ndalet duke shkruar kështu historinë për sportin shqiptar. Një rrugëtim i gjatë plot mundim e sakrifica duke bërë realitet ëndrrën për t'u ngjitur në majën e podiumit të atletikës europiane. E para shqiptare që regjistron një triumf të tillë por që për kampionen ky është veçse suksesi i rradhës, ajo premton se nuk do ndalet. Në studion e “Rreze Dielli” Luiza Gega dhe trajneri i saj Taulant Stërmasi, rrëfejnë njohjen e tyre dhe marrëdhënien e veçantë që ndajnë pas 16 vite pune së bashku.
Cigaret elektronike, joshja e të rinjve nga pajisjet me avull. Cilat janë pasojat në organizëm dhe “mashtrimi” se ato ndihmojnë në lënien e duhanit… E ftuar në studion e “Rreze Dielli” për të diskutuar mbi këtë problematikë Suela Xhufi, mjeke toksikologe. Pirja e cigareve elektronike është rritur në masë kohët e fundit, kryesisht te moshat e reja. Një pajisje të tillë shumë të rinj e mbajnë në xhep. Nuk lë aromë cigareje dhe zgjat më shumë se pirja e një pakete. Një trend që po krijon masivitet në përdorim pa ditur se cilat janë kostot në shëndet, e aq më tepër tek të rinjtë. Cigarja elektronike është një pajisje që ju lejon të thithni nikotinë në avull dhe jo tym, ato nuk djegin duhan dhe nuk prodhojnë katran ose monoksid karboni. A janë cigaret elektronike një alternativë më e sigurtë për duhan pirësit dhe një mundësi e tyre në betejën për të lënë duhanin? A krijojnë varësi? Dhe më kryesorja, sa të dëmshme janë ato për shëndetin dhe çfarë pasojash mund të sjellin në organizëm?