Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 19 Qershor 2025 – Receta/ Kujdesi për katërputroshët në verë/ Helmimi i fëmijëve nga kimikatet

19 Qershor, 15:34 | Përditesimi: 19 Qershor, 15:34

Zonja Albana solli dy receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Musaka me dromsa dhe spinaq / Biskota me limon.

Në “Rreze Dielli” flasim për një temë shumë të rëndësishme gjatë verës që prek shumë familje që kanë në shtëpinë e tyre një kafshë shtëpiake: si ndikon i nxehti tek kafshët shtëpiake dhe çfarë mund të bëjmë për t’i mbajtur të sigurta dhe të shëndetshme. Nga qethja e duhur e qimeve, te hidratimi dhe ushqimet më të përshtatshme për temperaturat e larta – gjithçka që duhet të dini për mirëqenien e katërputroshëve tuaj! Të ftuar në studio mjeku veteriner Admir Graci, i cili na shpjegon rreziqet që sjell i nxehti për qentë, macet dhe kafshët e tjera, si dhe dy personazhe të njohur të ekranit, gazetari Eljan Tanini dhe aktorja Renada Caci, dashamirës të kafshëve, të cilët ndajnë përvojat dhe këshillat e tyre nga përditshmëria me miqtë me bisht.

Helmimi i Fëmijëve: Rreziqet e padukshme në jetën e përditshme! A e keni menduar ndonjëherë se një lodër e zakonshme, një bluzë me stampime, një mur me ngjyra të ndezura apo edhe një ushqim i përditshëm, mund të jetë burim helmimi për fëmijën tuaj? Në dukje të pafajshme, por të mbushura me kimikate të rrezikshme që ndikojnë në shëndetin e fëmijëve – shumë prej tyre pa asnjë paralajmërim. A jemi realisht të vetëdijshëm për rreziqet që fshihen në lodrat, ushqimet apo veshjet e fëmijëve tanë? Mbi këtë tematikë flasim në “Rreze Dielli” me mjeken toksikologe Suela Xhufi, e cila na shpjegon se cilët janë kimikatet më të zakonshme që gjenden në lodra apo në çdo ambient të dhomës së fëmijës; si ndodh helmimi dhe cilat janë pasojat në të ardhmen, dhe si të zgjidhni produkte të sigurta për fëmijët tuaj.

MC/Shqiptarja.com