Zonja Albana solli katër sugjerime recetash të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Mesnik - Byrek me mish / Supë orizi me pastërma / Turshi, speca të mbushur me lakër / Reçel kumbullash.
Sapo kemi hyrë në Tetorin Rozë, muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, ndaj me nutricionistin Altin Joka, ekspert i mjekësisë holistike do të flasim pikërisht sa i takon ushqimeve dhe bimëve që luftojnë kancerin, por jo vetëm. Cilat janë të rejat apo studimet nga shkenca e nutricionit sa i takon kancerit të gjirit? Çfarë çrregullimesh ndodhin në organizmin e një gruaje që çojnë në kancer? Cilat janë shkaqet që nxisin aktivitetin e tij? Kush janë hapat për parandalimin e kancerit të gjirit? A ka strategji efikase për luftimin e kancerit të gjirit nëpërmjet ushqimit dhe bimëve dhe kush janë ato? Altin Joka në studion e “Rreze Dielli”, na tregon rregullat praktike që një grua me kancer gjiri duhet të bëjë nga zgjimi deri në darkë. Gjithashtu tregojmë dhe disa kombinime dietash për të suportuar një grua me kancer gjiri.
Episodi i parë i serialit të shumëpritur shqiptar “Prokurori” vjen nga 10 tetori në kinematë e Tiranës, me regji të Fatmir Dogës. Subjekti i filmit të zhanrit aksion/dramë merr shkas nga ngjarjet e jetës sonë të përditshme, me fokus reformën në drejtësi dhe luftën e një prokurori të ndershëm për t'u përballur me krimin e organizuar dhe politikanët e korruptuar. Por e veçanta e “Prokurorit” është pjesëmarrja për herë të parë në një produksion shqiptar të aktorit të madh hollivudian, Danny Glover, i cili njihet për publikun shqiptar për rolet e tij legjendare në filma si Arma vdekjeprurëse (me Mel Gibson), The Color Purple , Predator 2, etj. Në serial, Danny Glover luan rolin e Ambasadorit Amerikan në Tiranë, i cili mbështet reformën në drejtësi dhe ndihmon në zbatimin e saj. Në studion e “Rreze Dielli”, regjisori Fatmir Doga, do të rrëfejë më shumë për këtë produksion kaq aktual në ditët e sotme dhe që pritet të ketë shumë sukses.