Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 20 Maj 2025 – Receta/ Pas të 50-ave marrëdhënia me fizikun/ Histori suksesi nga Amerika

20 Maj, 15:29 | Përditesimi: 20 Maj, 15:29

Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Byrek me domate dhe qepë në tigan / Gjellë me bamje pa mish /Trahana me bukë misri dhe gjalpë.

Trupi Im, Dje dhe Sot: Gratë pas të 50-ave dhe marrëdhënia e tyre me fizikun! A ndryshon trupi ynë dhe a ndryshojmë dhe ne bashkë me të? Patjetër që po. Por a duhet të ndihemi më pak të vlefshme, më pak të dëshirueshme, më pak “gra”? Kurrsesi! Në këtë bisedë të hapur në studion e "Rreze Dielli" me dy trajnere, njëra fitnesi dhe tjera imazhi, Landa Bakalli dhe Linda Kalemi, flasim për marrëdhënien që gratë pas të 50-ave krijojnë me trupin e tyre – një trup që mban kujtime, sfida, lindje, dashuri, dhe ndoshta edhe heshtje. Si ndikon plakja në vetëvlerësim? A mund të rikthejmë një ndjenjë fuqie, sensualiteti dhe dashurie për veten, përtej rrudhave dhe ndryshimeve fizike? Një ftesë për reflektim, çlirim dhe ndoshta edhe një revolucion të vogël personal!

Shqiptaro-Amerikani Gino Mulliqi është zgjedhur zëvendëskryetar i komunës së qytetit Wylie, në Teksas, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është një arritje e rëndësishme jo vetëm për vetë Mulliqin, por edhe për komunitetin shqiptar që jeton në SHBA, duke dëshmuar përfaqësim të denjë dhe integrim të suksesshëm në jetën politike dhe institucionale amerikane. Nëpërmjet një lidhje për studion e “Rreze Dielli” Mulliqi falenderoi me mirënjohje të thellë kolegët e tij për besimin dhe mbështetjen e dhënë, duke theksuar përkushtimin e tij për të shërbyer me integritet dhe për të kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të qytetit. Ai u shpreh se është një nder dhe përgjegjësi e madhe të marrë përsipër këtë detyrë dhe tregon se çfarë e shtyu të integrohej dhe të përfshihej në jetën shoqërore dhe politike.

MC/Shqiptarja.com