Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 22 Korrik 2025 – Receta/ Këshilla për lëkurën në verë / ‘Bëje vetë’, maska në kushte shtëpie

22 Korrik, 15:23 | Përditesimi: 22 Korrik, 15:23

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Tavë verore me perime dhe kos / Krelanë me djathë / Sallatë verore me perime të freskëta dhe djathë të bardhë. 

Me ardhjen e stinës së nxehtë, lëkura dhe organizmi ynë përballen me sfida të reja: lagështia, djersitja e tepërt, ekspozimi ndaj diellit dhe frekuentimi i vendeve si pishinat dhe plazhet, krijojnë kushte ideale për zhvillimin e infeksioneve fungale, irritimeve të lëkurës dhe reaksioneve alergjike. Infeksionet mykotike në këmbë, trup apo thonj shtohen ndjeshëm, po ashtu edhe rastet me dermatite nga dielli apo aktivizimi i herpesit. Në studion e “Rreze Dielli” me dermatologen Brunilda Bardhi ndajmë disa këshilla të dobishme për shqetësimet më të zakonshme gjatë stinës së verës. Dr. Bruna u ndal dhe në aktivitetin e organizuar pak kohë më parë në Tiranë, ku ASCAD mblodhi 14 dermatologë, trajnerë dhe akademikë nga e gjithë bota me fokus zhvillimet e reja në dermatologji dhe estetikë.

Gjatë muajve të nxehtë të verës, flokët tanë përballen me shumë sfida: rrezet e forta të diellit, uji i kripur i detit dhe klori nga pishinat mund t’i thajnë dhe t’i dëmtojnë thellësisht. Si rezultat, flokët humbasin shkëlqimin, bëhen të brishtë dhe më të prirë ndaj dëmtimit. Për të ruajtur shëndetin dhe bukurinë e flokëve, kujdesi natyral është një zgjidhje e thjeshtë dhe efektive. Një maskë me pak përbërës natyralë mund të bëjë mrekulli: jo vetëm që u jep flokëve shkëlqim dhe butësi, por edhe i mbron nga ndikimet e dëmshme të rrezeve UV. Në "Bëje vetë" në Rreze Dielli, Niki dhe Stela tregojnë si të përgatisni një maskë të thjeshtë, por shumë efikase, që mund ta bëni lehtësisht në shtëpi.

Në një kohë kur gjithnjë e më shumë njerëz po kërkojnë alternativa natyrale për kujdesin personal, përdorimi i një deodoranti pa kimikate është bërë një zgjedhje e ndërgjegjshme për shëndetin dhe mirëqenien tonë. Shumë deodorantë të zakonshëm përmbajnë përbërës të dëmshëm, të cilët mund të irritojnë lëkurën dhe të ndikojnë negativisht në organizëm. Fatmirësisht, mund të përgatisni lehtësisht në shtëpi një deodorant natyral, pa kimikate, me vetëm dy përbërës të thjeshtë, që lufton djersën dhe aromat e pakëndshme në mënyrë të sigurt dhe efektive. Niki dhe Stela në "Bëje vetë" na tregojnë hap pas hapi si të përgatisni vetë një anti-djersë natyrale me 100% efikasitet.

MC/Shqiptarja.com