Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Byrek me petë sfoljatë me perime dhe proshutë / Gjellë vere me barbunja dhe oriz / Sultiash i pjekur në furrë.
Luiza Gega triumfon me tre medalje ari, një rekord absolut në Kampionatin Ballkanik të Atletikës që u zhvillua në Kraljevo të Serbisë, duke siguruar kështu dhe kualifikimin për Lojërat Olimpike Paris 2024. Sportistja kuqezi triumfoi në garën e 3 mijë metrave me pengesa, duke arritur kohën kualifikuese për në Lojërat Olimpike, duke u bërë kështu sportistja e parë shqiptare që merr biletën kualifikuese për Paris 2024. Në një lidhje skype me studion e "Rreze Dielli", Gega rrëfen emocionet dhe synimin e saj në Kampionatin Botëror, aty ku rivaliteti është më i ashpër me elitën globale të sportit.
Në studio me pediatren Zerina Sheme flasim si të veprojmë me një të porsalindur në plazh, sendet që duhet të marim me vete dhe këshilla për ushqyerjen në temperaturat e larta… Mund të shkoj në plazh me fëmijën tim? Kjo është një nga pyetjet që nënat i bëjnë më shpesh vetes pasi kanë sjellë në jetë një bebe, duke marrë në konsideratë edhe temperaturat e larta të këtyre ditëve. Por çfarë thonë ekspertët? Cila është mosha e duhur për të shkuar në plazh me fëmijën? Sa i rëndësishëm është bregdeti për rrugët e frymëmarrjes së një fëmije? Cilat janë oraret më të mira? A mund të lahet në det një fëmijë i vogël? Si ndryshon temperatura e fëmijës në temperatura të larta? A rekomandohet mbulimi i karrocës së fëmijës? A duhet t’i vendosim krem mbrojtës fëmijës së vogël, në sa muajsh rekomandohet? Kujdesi për ushqimin e gjithçka tjetër… Përgjigjet e të gjitha këtyre pyetjeve i marrim në studion e “Rreze Dielli” me pediatren e njohur Zerina Sheme, e cila u ndal dhe në dermatitin tek fëmijët e vegjël.
Në studion e ‘Rreze Dielli’ me Eduard Zeneli, i cili vjen nga Amerika për të kujtuar të parët e tij. Ai ka ndërtuar obeliskun e 27 dëshmorëve shqiptarë të vrarë në luftën Italo – Greke, në Teqen e Rabijes. Eduart Zeneli jeton që prej vitit 2015 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aktualisht ndodhet në Shqipëri për t’i dhënë dinjitet heronjve të pushkatuar nga ushtria italiane në vitin 1943, në fshatin e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore. Varret e tyre dhe obelisku përkujtimor ishte shkatërruar nga koha dhe harresa, ai vjen në Shqipëri për të kujtuar të parët e tij dhe për të rikonstruktuar varret e tyre, që t’u japë në këtë mënyrë dinjitet dhe pas vdekjes, pasi të gjithë i kishin harruar këta burra të rënë. Në një ceremoni zyrtare ku kishte të ftuar familjarë, miq, kryetar bashkie, apo dhe fshatarë të zonës, ai njoftoi se më në fund pas kaq vitesh, këta burra mund të prehen të qetë, pasi kanë një vend dinjitoz. Eduarti thotë se gjithë këtë gjë e bën për patriotizëm nga dashuria e madhe që ka për fshatin nga e ka origjinën.