Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 26 Mars 2025 – Receta/ Kungulli ‘ari i portokalltë’ në shëndet/ Muzika shqiptare në Paris

26 Mars, 17:06

Zonja Albana solli dy receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Japrak i hapur me gjethe lakre /Paça e Ramazanit me kos dhe hudhër. I ftuar në këndin e gatimit shefi i kuzhinës së restorantit "Zemra e Patokut", Sidorel Ndoci, përgatiti Levrek të mbështjellë me aromë deti.

Kungulli është pa dyshim një nga perimet më të dashura. Ky ushqim i pasur në vlera, vitamina dhe minerale përmban pak kalori. Farat, gjethet dhe lëngjet e nxjerra prej tij janë shumë të mira për shëndetin. I pasur me vitamina dhe antioksidantë kungulli mund të quhet ‘ari i portokalltë’ për shëndetin dhe tryezën tonë. Specialisti i mjekësisë holistike Altin Joka tregon në studion e “Rreze Dielli” të gjitha benefitet shëndetësore që marrim nga përdorimi i kungullit. Lulet dhe gjethet e kungullit janë burim vitaminash dhe mbrojtëse të sistemit imunitar, vaji i farave të kungullit, është një eliksir natyral për shumë probleme shëndetësore, ndërsa farat e kungullit mund të konsiderohen vërtetë ilaç për një sërë problematikash shëndetësore dhe mungesash vitaminash në organizëm.

Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura të Shqipërisë me dirigjentë Harlen Nikolli dhe Jean-François Ferran, së bashku me Formacionin Muzikor të Gardës Republikane franceze me dirigjent Frédéric Foulquier, performuan pak ditë më parë në një nga kishat më të vjetra franceze, Kishën Val De Grace. Nga Vivaldi në Bizet, një program eklektik nxorri në pah muzikën e dy vendeve tona përmes një përzgjedhjeje të larmishme veprash. Eventi ishte me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të kitaristit francez Emmanuel Rossfelder, solist i njohur ndërkombëtar. Gjatë këtij aktiviteti kulturor u performua dhe një pjesë muzikore nga filmi "Lulëkuqet mbi mure", tinguj që ngjallën mjaft interes, por dhe emocion, të cilin vijnë t’a ndajnë direkt nga Parisi në studion e "Rreze Dielli" dy nga instrumentistët tanë violinistja Xhudi Dodaj dhe violinçelisti Remino Sula.