Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 3 Dhjetor 2025 – Receta/ Lëngu i kockave në dobi të shëndetit/ Karrota, perime kurative

3 Dhjetor, 16:12 | Përditesimi: 3 Dhjetor, 16:12

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Bukë me ullinj dhe rozmarinë / Qofte me bullgur dhe salcë me gjalpë / Omletë me kunguj.

Lëngu i kockave është një nga preparatet më të vjetra natyrale që njihet për përfitimet e tij të shumta shëndetësore. I pasur me kolagjen, aminoacide, minerale dhe xhelatinë, ai konsiderohet një “fuqi shëruese” për sistemin e tretjes, kockat, inflamacionin, lëkurën dhe mirëqenien e përgjithshme. Si ndikon lëngu i kockave në shëndetin e zorrëve dhe rigjenerimin e indeve? Çfarë e bën përgatitjen e tij të duhur kaq thelbësore për të ruajtur vlerat ushqyese? Cilat lloje kockash japin më shumë kolagjen dhe xhelatinë? Çfarë roli luan zierja e ngadaltë për nxjerrjen e të gjitha vlerave ushqyese dhe çlirimin e mineraleve dhe pse lëngu i kockave konsiderohet një eliksir natyral për forcimin e sistemit imunitar. Përgjigjet e këtyre pyetjeve i marrim në studion e "Rreze Dielli" nga nutricionisti Altin Joka, ekspert i mjekësisë holistike, i cili na tregon gjithçka që duhet të dimë për përgatitjen e duhur të lëngut të kockave dhe si të shfrytëzojmë vetitë e tij kurative në dobi të shëndetit tonë.

Karrotat janë ndër perimet më të thjeshta dhe më të zakonshme në tryezat tona, por pas ngjyrës së tyre të ndezur fshihet një fuqi e jashtëzakonshme shëruese. Të pasura me beta–karoten, vitamina, antioksidantë dhe fibra, ato janë një ushqim i pazëvendësueshëm për shëndetin e syve, lëkurës, zemrës, sistemit imunitar e shumë e shumë të tjera. Por çfarë i bën karrotat kaq të vlefshme dhe pse ia vlen t’i konsumojmë çdo ditë? Flasim në "Rreze Dielli" me nutricionistin Altin Joka, i cili na tregon se si mund të përgatisim kombinime të ndryshme recetash kurative me karrotë që na ndihmojnë t’i shfrytëzojmë sa më mirë vetitë e tyre shëruese.

MC/Shqiptarja.com