Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Petë sfoliatë me spinaq në furrë / Speca të mbushura me gjizë / Qofte me miell misri, nenexhik dhe domate.
Në studion e ‘Rreze Dielli’ në një lidhje skype nga Suedia me nutricionistin Altin Joka, flasim për të ushqyerit sipas grupeve të gjakut, çfarë pasojash sjellin në organizëm? A kanë bazë shkencore këto dieta të përpiluara në bazë të grupit të gjakut? Cila është dieta apo regjimi më i mirë ushqimor që duhet të ndjekë një individ jo për të rrëzuar peshë, por për të jetuar sa më shëndetshëm. Me nutricionistin Altin Joka flasim dhe për testet e intolerancës ushqimore, a janë të vërteta dhe efektive dhe ku duhet të bazohemi për regjimin tonë ushqimor? Ka një tendencë të kohëve të fundit të testeve të shtrenjta (testi i gjakut, testi i pulsit, testi i fijes së flokut, testi elektromagnetik, apo testi i frymëmarrjes me hidrogjen) të quajtura “teste të intolerancës ushqimore”, të cilat synojnë të shqyrtojnë tolerancën ndaj qindra ushqimeve. Por a janë vërtetë të sakta këto teste? A ka prova shkencore që vërtetojnë shmangien e disa ushqimeve specifike? Po testi për intolerancën ndaj laktozës dhe glutenit a është i saktë? Si të kuptojmë dhe dallojmë shenjat e një intolerance ndaj një ushqimi të caktuar me alergjinë ushqimore, cilat janë tiparet dalluese?
Historia frymëzuese e Megi Xhemalit, vajza nga New York-u që pas luftës me depresionin ndihmon me libra psikologjie falas, gratë edhe vajzat në Shqipëri. Megi dërgon shuma parash për këto libra, të cilat i nxjerr nga gatimet në blogun e saj në Instagram… Megi Xhemali është një vajzë me shumë pasione që jeton dhe punon në NY. Para disa kohësh Megi hapi një faqe në instagram ‘Biblioteka e Megit’ ku nisi një projekt për të promovuar leximin e librave falas nga fëmijë, të rinj por veçanërisht vajza dhe gra. Ajo me kontributin e saj personal nisi të blejë shumë libra psikologjik për vajzat dhe gratë, në mënyrë për t’i ndihmuar të kalojnë problemet psikologjike apo libra motivues sesi të bëhen të zonjat e vetes duke kaluar të gjitha momentet e vështira në jetë. Megi rrëfen se këtë iniciativë e mori nxitur nga një periudhë e vështirë e jetës së saj me stresin, depresionin dhe ankthin dhe ku libri iu bë miku dhe motivuesi i saj më i mirë për të ecur përpara.