Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 3 Nëntor 2026, Receta/ Françesko me ‘miqtë’ e tij/ Historia e dashurisë e 2 muzikantëve

3 Nëntor, 16:05 | Përditesimi: 3 Nëntor, 16:05

Zonja Mirela solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Supë pule me perime / Byrek me qumësht / Tërshërë me qumësht, kos, mollë dhe kanellë. Këndit të kuzhinës iu bashkua dhe Ines Kaja, menaxhere e prodhimit në kompaninë Lufra. Nga ferma në tryezë! Si garantohet cilësia dhe siguria e qumështit që konsumojmë? Sekretet e qumështit dhe kosit, nga fermerët shqiptarë te produktet LUFRA.

Në studion e “Rreze Dielli” mirëpresim sot një personazh atipik, plot humor, energji pozitive dhe gjithmonë të gatshëm për të krijuar situata argëtuese. Por ajo që e bën edhe më të veçantë Françesko Shehun është fakti se ai ka zgjedhur ta ndajë rrugëtimin e tij të jetës me dy miq shumë të dashur, të cilët i ka gjithmonë pranë dhe i merr kudo me vete: Pumën dhe Pepiton! Françesko, me profesion menaxher marketingu, vjen për të ndarë me ne emocionet, aventurat dhe historitë e veçanta me dy shoqëruesit e tij të pandarë. Ata janë gjithmonë tre: bashkë në udhëtime, në plazh, në festa, në gëzime dhe në çdo moment të jetës së përditshme. Një treshe që ka kthyer dashurinë për kafshët në një mënyrë jetese! Nga shpenzimet mujore prej 50 mijë lekësh për kujdesin ndaj qenit, te ndryshimi rrënjësor i jetës pas ardhjes së tij në shtëpi, Françesko rrëfen pa filtra përkushtimin dhe dashurinë që i lidh. Madje, për 5-vjetorin e Pumës ka organizuar edhe një festë me plot 70 të ftuar! Një histori plot dashuri, përkushtim, humor dhe aventura, ku Françesko, Puma dhe Pepito na tregojnë se miqësia më e bukur vjen në forma nga më të veçantat.

Në studion e “Rreze Dielli” sot do të sjellim një histori të veçantë dashurie, ku arti, muzika dhe jeta janë ndërthurur në mënyrën më të bukur. Janë njohur që në fëmijëri, janë afruar përmes pasionit të përbashkët për muzikën në vitet e Liceut Artistik dhe sot, pas 20 vitesh martesë, vazhdojnë të ndajnë jo vetëm jetën, por edhe skenën dhe profesionin. Lorin dhe Arla Lepuri janë dy instrumentistë, që kanë zgjedhur të jenë bashkë në çdo aspekt të jetës: në punë, në shtëpi dhe në rrugëtimin e tyre artistik. Por si nisi historia e tyre e dashurisë? Si është të ndash të njëjtin profesion, të njëjtin pasion dhe të njëjtën hapësirë krijuese me partnerin e jetës? A është muzika sekreti që i ka mbajtur të lidhur ndër vite? Sot do të zbulojmë kujtimet e njohjes së tyre që në fëmijëri, dashurinë që lindi në Lice, sfidat dhe bukuritë e një martese 20-vjeçare, si dhe emocionet e të qenit çift në jetë dhe në skenë. Një histori ku dashuria ka ritmin e muzikës dhe ku violina dhe viola vazhdojnë të luajnë në të njëjtën harmoni.

MC/Shqiptarja.com