Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 30 Prill 2024 – Receta/ Trondit prifti…/Matja e saktë e tensionit/Me artistin ‘skllav’ të gurit…

30 Prill, 15:51

Zonja Albana solli tre receta tepër të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Gulash me mish viçi / Petulla me miell misri / Patëllxhanë me kos dhe hudhra.

At Nikolla Xhufka, kreu i Kishës Ortodokse Fan Noli në Elbasan thotë se kisha greke dhe serbe duan ta burgosin duke e akuzuar si shpifës. Në emisionin “Rreze Dielli” ai tregoi se çfarë arsyesh kanë ngritur institucionet fetare ndaj tij dhe përse vjen kjo deklaratë? At Nikolla Xhufka ngriti edhe një akuzë të fortë kur tha se në ambientet e kishave mbillet dhe pihet kanabis, duke iu referuar bisedave me besimtarët.

A po e masni siç duhet tensionin e gjakut? Shpesh gjendemi përpara situatës kur kërkohet të kryejmë matje të presionit të gjakut në kushtet e shtëpisë. Përpara se të kryejmë këtë proces i cili në dukje është i thjeshtë, duhet të kemi parasysh disa këshilla në lidhje me momentin kur duhet të kryhet matja dhe mënyrën e saktë të realizimit. Mjeku nga Florida Ardian Kraja, përmes një lidhje skype me emisionin "Rreze Dielli" tregoi rrugën e duhur të matjes së tensionit dhe këshilloi qytetarët që matjet t'i bëjnë: - Para se të marrin mjekimet për presionin e gjakut - Të paktën dy orë pas ngrënies - Një orë pas konsumit të kafes apo pirjes së duhanit - Tridhjetë minuta pas stërvitjes - Pasi të jenë qetësuar dhe gjatë proçesit të mos flasin.     

Gëzim Hidri, i pagëzuar si "skllav" i gurit foli në emisionin Rreze Dielli për pasionin e tij në krijimin e veprave të artit përmes gurëve që i mbledh brenda dhe jashtë vendit. Ai është autor i mozaikut të famshëm të kreut të Çelsit, Abramoviç, të parit mozaik të lëvizshëm të realizuar me 120 mijë copëza guri me ngjyrë me një peshë 300 kg, punë e cila i kushtoi 9 vite dhe 9 muaj. I pyetur se pse nuk ka arritur ta shesë këtë mozaik, Hidri tha se çmimi i vendosur prej tij është 21 mijë euro. Hidri tha se ka ëndërr për të realizuar një qilim gjigand në Sheshin Skëndërbej me elemente tradicionale të të gjitha qyteteve të Shqipërisë nga veriu në jug.