Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Mish viçi me limon / Lakror tradicional me miell misri dhe hithra / Perime sezoni në tigan me salcë domate.
Në studion e "Rreze Dielli" flasim për nervin shiatik, nga se shkaktohet dhe disa ushtrime efektive në kushtet e shtëpisë për të qetësuar dhimbjet. Nervi shiatik është nervi më i gjatë dhe më i madh në trup, ai është aq i trashë sa një prej gishtërinjve tanë kur arrin në pjesën e shpinës. Ai pastaj kalon nga pjesa e prapme drejt ijeve dhe poshtë tek këmba nga ku ndahet në gju në dy degë. Çdo këmbë ka nervin e tij shiatik. Dhimbja e nervit shiatik mund të ndihet thellë në pjesën e prapme, me dhimbje që shkon drejt shpinës dhe poshtë për në këmbë, nganjëherë edhe në shputën e këmbës. Dhimbja mund të jetë e shoqëruar me ndjesi shpimi gjilpërash, “gjemba” apo mpirje. Shpesh, stërvitja dhe lëvizja në mënyra të caktuara mund të ndihmojnë në minimizimin e këtyre simptomave. Fizioterapistja Ledina Nikolla tregon cilat janë ushtrimet më të mira të terapisë fizike që mund të bëhen në shtëpi për të eleminuar dhimbjet e nervit shiatik.
Historia e korçarit Florenc Leshnja që ka emigruar në Amerikë me para borxh dhe sot është pronari i 18 restoranteve. Si ia doli që të bënte realitet ëndrrën amerikane dhe forca e dëshira për të mos u dorëzuar kurrë…Florenc Leshnja është një prej korçarëve që ka arritur ëndrrën amerikane ku tashmë është pronar i 18 restoranteve në Amerikë. “Kur kemi ardhur në USA në qershor të vitit 1999, me llotari amerikane kemi marë lekë borxh. Fillimisht muajt e parë ishin shumë të vështirë, babai akoma nuk hapte valixhet pasi ishte gjithë kohën i zhgënjyer”- kështu i kujton momentet e para të emigrimit nga Korça për në Shtetet e Bashkuara Florenci. Ai tregon se fillimisht punën e parë e ka filluar në shpërndarjen e picave, më pas në kuzhinë, ndërsa sot ai ka restorantin e tij dhe jo vetëm një, por falë punës së palodhur sot ndihmon të gjithë komunitetin e shqiptarëve që ndodhen në Teksas.
Së shpejti përurohet rruga e parë “Ismail Qemali” në New York, një ngjarje e madhe ku do të marrin pjesë shqiptarë e personalitete nga e gjithë diaspora... Në një lidhje skype nga New York me Naser Nika, organizator eventesh dhe Kryetar i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane në Staten Island. Naser na tregon sesi me nismën e tij dhe komunitetit të madh të shqiptarëve të Amerikës, arriti të firmosë marrëveshjen që një nga rrugët e New Yorkut të mbajë emrin e një prej patriotëve më të shquar shpiptar. Më datë 3 qershor, do të përurohet rruga e parë në Staten Island, New York me emrin e figurës sonë kombëtare “Rruga Ismail Qemali”. Në këtë ditë do të mblidhen shumë shqiptarë dhe personalitete nga diaspora.