Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 5 Mars 2024 – Receta / A është Ok të qash? / ‘Politika nudo’ e Eduart Ndocaj

5 Mars, 15:18

Zonja Albana solli katër sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Lakror me hithra me miell misri / Supë me hithra / Qofte me patëllxhanë / Kunguj të skuqur në kos.

A është Ok të qajmë? Edhe pse kjo pyetje është gjithëpërfshirëse mund të mos ketë një përgjigje të vetme. Për disa njerëz, qarja është një mënyrë për të shprehur emocionet dhe për të ndjerë lehtësim. Për disa të tjerë, qarja mund të ndihmojë në largimin e stresit, për të tjerë qarja mund të jetë një shenjë e dobësisë ose e pakënaqësisë. Për këdo që do të qajë, është e rëndësishme të kuptojë se qarja është një pjesë normale e jetës dhe nuk duhet të ndjehemi fajtor për të. Në studion e "Rreze Dielli" Diana Pushi, psikoterapiste dhe mentore e potencialit njerëzor thotë - "Gratë, heroinat e ndjeshmërisë. Secila qan në mënyrën autentike për arsye të ndryshme dhe është Okej..." A është gabim t'i mbajmë lotët dhe cilat janë disa nga përfitimet shëndetësore që marrim nga e qara?

Ish-deputeti i Lezhës, sipërmarrësi Eduart Ndocaj, i njohur si kaubojsi i politikës në një bisedë të këndshme në studion e “Rreze Dielli” ndan pasionin e tij të hershëm për pikturën dhe për çiftelinë. Piktura ishte ëndrra e tij e fëmijërisë e cila për shkak të persekutimit në biografi iu mohua, por sot duket se është një nga dëshirat e tij më të mëdha, ka një koleksion me mbi 600 piktura të realizuara ndër vite dhe stili i tij është surrealist, por nuk mungojnë dhe portretet. Ka një lidhje të ngushtë me natyrën sepse peisazhet zënë një vend të rëndësishëm në frymëzimet e tij. Kohët e fundit një rol të rëndësishëm zë dhe bota femërore në pikturat e tij te nudos artistike. Gjithashtu ai tregoi sesi arriti të humbiste 50 kg në 6 muaj, ndau dhe një histori pak të vështirë për të dhe familjen e tij sesi për shkak të një gabimi u arrestua në Milano. Ndërsa në mbyllje të bisedës ai premton se me politikën nuk i ka mbyllur ende dyert.