Zonja Albana solli dy receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Byrek me peta të ziera me djathë, vezë dhe kos / Çorbë me mëlçi, miell misri dhe kos.
I njohur ndryshe si “ari i kuq”, shafrani renditet ndër erëzat më të shtrenjta dhe më të çmuara në botë, jo vetëm për vlerën e tij ekonomike, por mbi të gjitha për pasurinë e jashtëzakonshme shëndetësore që mbart. I kultivuar dhe i përdorur prej shekujsh si në kuzhinë ashtu edhe në mjekësinë tradicionale, shafrani po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e shkencës moderne falë përbërjes së tij unike kimike dhe efekteve të shumta terapeutike. Nga fijet e kuqe delikate të lules përftohet një substancë e pasur me karotenoide, vajra esencialë, flavonoide, vitamina dhe minerale, të cilat e bëjnë shafranin një antioksidant të fuqishëm, antidepresiv natyral dhe një aleat të rëndësishëm për sistemin nervor, kardiovaskular dhe hormonal. Studime të shumta kanë treguar se përdorimi i kontrolluar i shafranit ndihmon në uljen e ankthit dhe depresionit, përmirëson humorin, mbështet shëndetin e zemrës dhe mbron qelizat nga stresi oksidativ. Pikërisht kësaj erëze kaq të veçantë do t’i kushtojmë vëmendje sot në “Rreze Dielli”, me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja, i cili do të na njohë me vlerat kurative, përdorimet dhe dozimin e sigurt të shafranit për problematika të ndryshme shëndetësore.





















