Lorik Cana futbollisti profesionist në rolin e mesfushorit, ka luajtur për Kombëtaren e Shqipërisë dhe për klubin e Italisë “S.S Lazio”. Pasionin për futbollin e ka nisur që në vogëli, ku që në adoleshencë filloi të luante për ekipin zviceran “Lausanne Sport”. Gjatë karrierës së tij ka luajtur në shumë ekipe prestigjioze në Europë.
Në studion e “Rreze Dielli” Lorik Cana flet për projektin e tij më të fundit me arbëreshët, një projekt me moton “për të njohur historinë tonë, duhet të zbulojmë rrënjët tona”. Gjithë shqiptarët anë e mbanë Botës kanë të drejtë të njihen me historinë e tyre, me historinë e të parëve tanë, me historinë e bijëve të Gjergj Kastriotit...Lorik Cana shprehet se ne kemi detyrën dhe përgjegjësinë të tregojmë se si vëllezërit tanë në Arbëri jetojnë, si flasin gjuhën që trashëguan, si këndojnë, si falen në gjuhën e trashëguar brez pas brezi…
Në fund të bisedës Ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana ndau pak momente dhe nga familja e tij. Si është njohur me bashkëshorten italiane Monica Ercoli, ndjesia e të qenit baba, pasioni i djalit të vogël për futbollin dhe së fundmi lidhja e veçantë me më të voglën e familjes Enkeleida.