Filozofi Isuf Luzaj, përtej mureve të harresës

6 Mars 2019, 09:56

Emisioni Dosja K në Report TV nga gazetarja Admirina Peçi solli pjesën e parë të emisionit mbi historinë e filozofit Isuf Luzaj. Atë e krahasojnë me Sartrin apo Kamynë. Ronald Regan e ka dekoruar me titullin më të lartë professor i merituar i Amerikës.
Por historia e këtij shqiptari të madh, pak njihet ndër ne.Arsyeja kryesore e heshtjes, janë idetë e tij prej antikomunisti të betuar. Ai e njihte Enver Hoxhën që nga koha e studimeve në Francë. Por ndryshe nga diktatori që s’mori dot asnjë provim, Isuf Luzaj u kthye nga Sorbona me dy doktoratura, nji në letërsi e nji në filozofi. Do të ishin një jetë kundërshtarë në idetë politike. Në vitet e Luftës, Hoxha e kërkonte me çdo kusht ta eleminonte e largonte nga skena dhe në fund, në prag të çlirimit, Isuf Luzaj arratiset nga Shqipëria, pasi kupton se kahu ku ai aderonte, Balli Kombëtar e më pas Partia Social Demokrate, e kishte humbur betejen politike. Pushtetin e kishin marrë komunistët… Në Shqipëri Luzaj lë familjen e tij, dhe prej asaj dite nuk do ti shihte më, për më shumë se 45 vjet. Ata kalojnë nën regjimin komunist një kalvar të parrëfyer vuajtjesh dhe dhimbjeje…Ndërkohë vetë Luzaj jetoi gjithë jetën në emigrim, gjithnjë në përpjekje për t’u perfeksionuar në rrugën e dijes, e në betejën e pandalshme të tij kundër komunizmit. Ai vdiq me brengën e mallit që s’mundi të kthehej më kurrë në atdhe, duke lënë trashëgim për shqiptarët e shekullit 21 e në vijim veprën e tij të paçmuar, e cila, në ndodhtë ashtu siç ai parashikoi, do t’u hapë sytë dhe mendjen shqiptarëve që kaluan një histori, plot sfida e trauma.