Gatime nga zonja Albana, Axhem pilaf dhe domate të mbushura

25 Tetor 2021, 10:25 | Përditesimi i fundit: 2021-10-25 10:25:48

AXHEM PILAF 

Përbërësit:

350 gr oriz

1 limon (lëngu)

1 qepë e prerë hollë

1 filxhan kafe fidhe

2 lgj vaj ulliri

2 lgj gjalpë

1 liter buljon perimesh/mishi/ujë

Djathë i fortë i grirë

Kripë, piper

Përgatitja:

Lajmë orizin mirë derisa uji të dalë i pastër dhe më pas i shtojmë lëngun e 1 limoni. Vendosim në sobë tenxheren me vaj ulliri dhe gjalpë. Sapo gjalpi të shkrijë hedhim fidhet dhe i kaurdisim derisa të marrin ngjyrë të njëtrajtshme të kuqerremtë. Shtojmë orizin dhe e përziejmë mirë derisa të zbardhet. Më pas vendosim qepën e grirë imët dhe e kaurdisim për 2-3 minuta. Shtojmë buljonin,  ulim nxehtësinë dhe e lemë orizin të ziejë me kapak gjysmë të hapur për 20 minuta. Shtojmë kripë dhe piper dhe sapo të krijohen gropëzat e vogla sipër orizit fikim sobën dhe i vemë sipër një pecetë të pastër, pasi kemi vendosur pak gjalpë. E shërbejmë me djathë të fortë kaçkavall. 

 

 

DOMATE TË MBUSHURA 

Përbërësit:

6 domate

100 gr djathë të bardhë ose gjizë

100 gr ajkë kosi

Spec djegës i bluar

Bishta qepësh të njoma

Majdanoz

Kripë, piper i zi

Përgatitja:

Domateve u pritet kapaku, pastrohen brenda, i kriposim dhe i përmbysim. Përgatisim mbushjen me djathë të bardhë, ajkë kosi, majdanoz, pjesën jeshile të qepëve të njoma, spec djegës të bluar në mikser, kripë dhe piper të zi. Mbushim domatet dhe i kemi gati për t'i servirur.