Gatime nga zonja Albana, Byrek i ëmbël me kungull dimri

29 Tetor 2021, 10:34

BYREK I ËMBËL ME KUNGULL DIMRI

Përbërësit:

Për brumin:

500 gr miell

1 lç kripë

½ lç sheqer

1 e verdhë veze

1 lugë kafeje vaj

Ujë

Niseshte për hapjen e peteve

Për mbushjen:

1 kungull dimri të vogël

2-3 kokrra vezë

70 gr gjalpë

1 filxhan çaji qumësht

1 filxhan çaji sheqer

1 lugë kafeje kanellë

½ lugë kafeje sheqer vanilje

Pak miell

Pak vaj vegjetal

Përgatitja:

Fillimisht përgatisim brumin. Vendosim në një tas miellin, bëjmë një hapësirë në qendër ku shtojmë kripë, sheqer, vezë, vaj dhe ujë sa të marrë brumi për t’u zënë. E punojmë mirë brumin derisa të mos ngjitet në duar. E mbulojmë me pecetë dhe e lemë të pushojë për rreth 1 orë.

Ndërkohë përgatisim mbushjen. Grijmë në rende kungullin dhe e kullojmë. E kalojmë në tigan ku kemi shkrirë gjalpin. Vendosim pak qumësht, shtojmë sheqerin, kanellën dhe vaniljen. E trazojmë mirë, e largojmë tiganin nga nxehtësia dhe hedhim vezët. Nëse shikojmë që masa është e lëngësht hedhim 1 lugë miell. Masën e përgatitur e lemë që të ftohet plotësisht.

Hapim petët e byrekut duke i spërkatur me pak niseshte. Vendosim në tavë disa petë i spërkasim me pak gjalpë, hedhim mbushjen dhe sërish petë. Këtë byrek mund t’a bëjmë me 1 ose 2 shtresa mbushje. E vendosim byrekun të piqet në furrë të parangrohur në 180 gradë Celsius për 35-40 minuta.

Pasi të jetë gati e lemë të ftohet dhe më pas e presim.