Gatime nga zonja Albana, Byrek me spinaq dhe djathë

5 Janar 2022, 11:01

Byrek me 2 petë, me spinaq dhe djathë

Përbërësit

400 gr miell

2 vezë

1 lgj vaj ulliri

ujë

kripë

100 gr gjalpë

500 gr spinaq

250 gr djathë

50 ml kos

1 tufë kopër

1 tufë nenexhik

pak niseshte

Përgatitja:

Vendosim në një tas miellin, kripën, vajin e ullirit dhe një të verdhë veze. E përziejmë mirë dhe më pas shtojmë ujin gradualisht. E punojmë brumin për rreth 5 minuta, pasi brumi duhet të jetë i butë dhe të punohet lehtë. E lemë të pushojë.

Më pas e ndajmë brumin në dy pjesë dhe hapim petët në kuleçë. Pjesa e poshtme e byrekut duhet të jetë më e trashë se pjesa e sipërme. Hapjen e petëve e bëjmë me pak niseshte ose miell. Në çdo kulaç të hapur për petën e poshtme bëjmë lyerje me yndyrë, ndërsa për petën e sipërme nuk përdorim vaj. 

Vendosim petën e poshtme në një tepsi. Grijmë hollë spinaqin,  shtojmë bimë aromatike sipas preferencës, shtojmë kripë, pak vaj dhe djathë të bardhë të thërrmuar. Mbi djathin e thërrmuar hedhim të bardhën e vezës. Lyejmë anësoret e byrekut me pak gjalpë, vendosim petën e sipërme, lyejmë përsëri anësoret me gjalpë,  ndërsa sipërfaqen e byrekut e lyejmë me pak kos të trazuar me një të verdhë veze. E presim byrekun por jo duke e çuar thikën deri në fund.  E vendosim byrekun të piqet në furrë fillimisht në temperaturën 200 gradë dhe më pas në 180 gradë për 50 minuta.