Gatime nga zonja Albana, Çomlek me patëllxhanë dhe mish viçi

17 Janar 2022, 11:46

Çomlek me patëllxhanë dhe mish viçi

Përbërësit:

700 gr mish viçi

2 patëllxhanë

1 qepë mesatare

1 kokërr domate

1 lgj salcë domate

1 lç sheqer

3-4 lgj vaj ulliri

2 lgj miell

1-2 thelpinj hudhër

3 gota ujë

Kripë, piper i zi

Djathë kaçkavall

Përgatitja:

Fillimisht kaurdisim mishin në një tenxhere me pak vaj ulliri. Sapo mishi të ndryshojë ngjyrë shtojmë qepën e grirë imët dhe domatet të grira në rende. Zazhdojmë kaurdisjen derisa qepa të zbutet, më pas shtojmë pak sheqer, kripë dhe piper të zi. Hedhim pak ujë në masë të përbërësve, vendosim kapakun dhe e lemë mishin të ziejë në lëngun e vet duke e pëzier herë pas here.

Ndërkohë patëllxhanët i vendosim në furrë të piqen për pak minuta.

Në një tigan të thellë kaurdisim miellin derisa të marrë një ngjyrë kafe të çelët. Shtojmë më pas pak ujë dhe e përziejmë shpejt që të formohet një salcë e trashë. Rregullojmë shijen me kripë, piper dhe hudhër të shtypur. Sapo salca të marrë valë shtojmë patëllxhanët të prerë në copëza dhe djathin e grirë në rende. Ulim temperaturën nën mesatare dhe e lemë salcën bashkë me patëllxhanët në zjarr për 5 minuta.  Më pas e servirim së bashku me mishin e gatuar.