Gatime nga zonja Albana, Kek me miell misri me sherbet

27 Tetor 2021, 12:04

KEK ME MIELL MISRI ME SHERBET

Përbërësit:

2 filxhan çaji miell misri i hollë

1 filxhan çaji miell misri i trashë

½ filxhan çaji sheqer

1 zarf fryrës ëmbëlsirash

½ lugë kafeje sodë

½ filxhan çaji lëng portokalli

1 filxhan çaji vaj misri

½ filxhan ujë

2 limona (lëkura)

Vanilje

Pak kripë

 

Për sherbetin:

2 ½ filxhanë ujë

3 filxhanë sheqer

Lëngu i 2 limonave

Lëkura e 1 limoni

Përgatitja:

Në një enë hedhim lëngun e portokallit, ujin, vajin, fryrësin, sodën e bukës, vaniljen, sheqerin dhe pak kripë. I trazojmë mirë të gjithë përbërësit me telin e kuzhinës dhe më pas shtojmë lëkurën e grirë të limonave dhe miellin e misrit të hollë të trazuar me miellin e misrit të trashë. E trazojmë mirë brumin e kekut dhe e vendosim në një tavë të lyer me pak vaj. E lemë të pushojë për rreth 1 orë në mënyrë që mielli i misrit të përthithë lëngjet. Më pas e vendosim në furrë të parangrohur në temperaturën 170 gradë Celsius për 50 minuta (në skarën e poshtme) derisa të krijojë sipërfaqe të kuqerremtë.

Pasi keku të jetë pjekur e lemë të ftohet dhe më pas e sherbetosim (sherbeti duhet të jetë i nxehtë dhe keku i ftohtë).