Gatime nga zonja Albana, Paçe plendësi

23 Nëntor 2021, 10:24 | Përditesimi i fundit: 2021-11-23 10:28:41

PAÇE PLENDËSI 

Përbërësit:

1.5 kg plendës 

5-6 kokrra piper

1 gjethe dafine

1 lgj vaj ulliri 

1 lgj gjalpë 

1 lç miell

1/2 lç salcë 

Spec djegës

Kripë

Për servirjen e plendësit :

5-6 thelpinj hudhër 

3 lgj uthull 

1/2 lëng limoni

1-2 lgj vaj ulliri

Kripë, piper 

Përgatitja:

Pasi e kemi larë plendësin me ujë të ftohtë e kalojmë në ujë të përvëluar për rreth 30 sekonda. Më pas e pastrojmë mirë derisa të zbardhet plotësisht. 

Plendësin e pastruar dhe të larë mirë e vendosim të ziejë në ujë të ftohtë. Ndërkohë vendosim mbi sobë një qepë të piqet dhe më pas e shtojmë tek plendësi bashkë me 1 gjethe dafine, disa kokrra piperi dhe kripë. Pasi plendësi të ketë zier, largojmë gjethen e dafinës, kullojmë lëngun dhe presim plendësin në copëza të vogla. 

Në një tenxhere kaurdisim pak miell me gjalpë dhe vaj ulliri. Sapo mielli të marrë pak ngjyrë shtojmë salcën, e përziejmë mirë dhe hedhim lëngun e ngrohtë të plendësit. E trazojmë mirë që të mos kokrrizohet. Sapo lëngu të fillojë të marrë valë vendosim copëzat e plendësit dhe pak spec të kuq djegës.

Shtypim hudhrat, shtojmë uthull, vaj ulliri, lëng limoni, kripë, piper. 

Paçen e plendësit e servirim të ngrohtë duke hedhur në çdo pjatë nga 1 lugë nga salca e përgatitur me hudhër dhe uthull.