Gatime nga zonja Albana, Pastiçe me mish të grirë dhe perime

26 Tetor 2021, 13:50

PASTIÇE ME MISH TË GRIRË DHE PERIME

Përbërësit:

500 gr makarona

3-4 lgj djathë të grirë

Për salcën:

700 gr mish i grirë

4 lgj vaj ulliri

2 feta proshutë

1 qepë

3 thelpinj hudhër

2 karrota

1 lgj salcë domate

1 lgj verë e kuqe

½ filxhan çaji ujë

1 gjethe dafine

1 shkop kanelle

Kripë, piper

 

Për beshamelin:

250 ml qumësht

6 lgj niseshte (125 gr)

2 lgj gjalpë

2 vezë

Djathë i grirë

Arrë moskat

Kripë, piper

Përgatitja:

Vendosim vajin e ullirit në një tigan të madh dhe kaurdisim mishin e grirë derisa të pijë të gjitha lëngjet. Sa më shumë të kaurdiset mishi i grirë aq më e mirë do të dalë salca. Pasi mishi të jetë kokrrizuar shtojmë hudhrën, qepën e grirë imët dhe karrotat. Vazhdojmë kaurdisjen për 2-3 minuta dhe më pas e shuajmë me pak verë të kuqe.  Sapo të avullojë alkooli shtojmë pelten e domates dhe pak ujë të nxehtë dhe e lemë të ziejë për rreth 30 minuta. Në fund shtojmë shkopin e kanellës, kripën, piperin dhe 1 gjethe dafine.

Ndërkohë paralelisht kemi vendosur makaronat të ziejnë në ujë të vluar me kripë dhe pak vaj ulliri. Makaronat mirë është që të jenë makarona tub dhe i lemë të zijenë 2 minuta më pak se përcaktimi në paketim.

Përgatisim dhe beshamelin. Përziejmë niseshten me qumështin e ftohtë, më pas e vendosim në nxehtësi, shtojmë arrë moskat, gjalpë, kripë, piper. E lemë të marrë valë dhe në fund hedhim vezët dhe djathin e grirë në rende.

Përziejmë makaronat me salcën me mish të grirë (shkopin e kanellës dhe gjethen e dafinës e kemi larguar) dhe me pak salcë beshamel. I trazojmë mirë dhe i zhvendosim në një tavë pjekjeje. Shtojmë sipër pjesën tjetër të beshamelit dhe e spërkasim të gjithë sipërfaqen me djathë kaçkavall të grirë. E vendosim pastiçen në furrë të parangrohur në temperaturën 180-200 gradë Celsius për 30 minuta në zgarën e mesit me ajër.