Gatime nga zonja Albana, Qahi tradicionale, simitet e nostalgjisë

24 Nëntor 2021, 10:40

Qahi tradicionale, simitet e nostalgjisë  

Përbërësit

20 gr maja

500 ml qumësht të vakët

4 lugë supe sheqer

1 bustinë vanilje

1 majë luge kripë

1 filxhan vaj

1 kg miell

Përgatitja:

Fillimisht tresim majanë në 3-4 lugë qumësht, 1 lugë të vogël sheqer dhe miell. Tek qumështi i vakët hedhim sheqerin, vaniljen, vajin dhe majanë e ardhur. E përziejmë me lugë druri dhe më pas shtojmë miellin gradualisht duke e trazuar. E punojmë brumin derisa të realizohet një brumë i butë si i bukës. E lyejmë me pak vaj, e mbulojmë me pecetë dhe e lemë në një vend të ngrohtë për rreth 2 orë (brumi mund të përgatitet dhe në mbremje dhe të lihet në një vend të freskët dhe të nesërmen të gatuhet).

Brumin e ardhur, të dyfishuar e punojmë dhe një herë dhe e ndajmë në rreth 20 toptha të cilat i hollojmë sa madhësia e një pjate të vogël. I lyejmë me pak vaj dhe në mes mund të vendosim pak djathë të përzier me vezë. E mbështjellim në formë roleje dhe e lidhim si trëndafil. I vendosim qahitë në një tavë të lyer me vaj dhe i lemë në një vend të ngrohtë për rreth 30 minuta. Më pas i spërkasim me fara susami dhe i vendosim në furrë të parangrohur në temperaturën 180 gradë Celsius. Sapo të marrin ngyrë të kuqerremtë nga lartë i nxjerrim nga furra i mbulojmë me një pecetë kuzhine dhe i lemë që të qëndrojnë të buta.