Gatime nga zonja Albana, Rosto me mish viçi

21 Dhjetor 2021, 11:30

ROSTO ME MISH VIÇI

Përbërësit:

1 kg mish viçi tul

2 qepë mesatare

2 karrota

1 degë selino

4-5 thelpinj hudhër

1 gjethe dafine

1 gotë verë e bardhë

2 lgj miell

Vaj ulliri

Gjalpë

Kripë, piper

Përgatitja:

Vendosim mishin e viçit në tryezën e punës, e hapim mirë dhe vende-vende duke e shpuar me majën e thikës vendosim disa thelpinj hudhër. E spërkasim më pas nga të gjitha anët me kripë dhe piper. Presim karrotat në rrathë të hollë dhe i vendosim në mes të tulit të mishit. E mbledhim si role dhe e lidhim me një spango kuzhine.

Në një tenxhere hedhim pak vaj ulliri dhe gjalpë dhe skuqim roston nga të gjitha anët. Më pas e shuajmë me verë të bardhë dhe sapo të avullojë alkooli shtojmë rreth 500 ml ujë dhe gjithë përbërësit e tjerë. E lemë mishin të ziejë në temperaturë nën mesatare për rreth 1 orë. Më pas largojmë roston nga tenxherja dhe e presim në feta në drejtim të kundërt të fijeve. Lëngun e mbetur në tenxhere e kullojmë, ndërsa perimet i kalojmë lehtë në grirëse.

Në një tigan kaurdisim me pak gjalpë 2 lugë miell. Pasi mielli të marrë ngjyrë shtojmë lëngun e rostos dhe perimet e grira. E trazojmë vazhdimisht derisa salca të lidhet dhe të mos kokrrizohet. Salcën e përgatitur e kullojmë në një sitë dhe e servirim mbi roston e prerë në feta.