Gatime nga zonja Albana, Tavë me patëllxhanë dhe qofte në furrë

15 Shkurt 2022, 10:39

Tavë me patëllxhanë dhe qofte në furrë

Përbërësit:

4 patëllxhanë

500 gr mish të grirë

1 vezë

2 qepë

2 thelpinj hudhër

½ tufë majdanoz

½ lk rigon

½ lk sodë

1 lk piper i kuq

Kripë, piper i zi

Bukë e thekur

Djathë kaçkavall

8 domate qershi

5 lgj salcë domate

 

Për shoqërimin e patëllxhanëve:

Majonezë

Kos

Kripë

Piper i kuq

Xhinxhër e grirë

Hudhër e grirë

Përgatitja:

Marrim patëllxhanët, i lajmë dhe më pas i qërojme një rresht po, një rresht jo. I vendosim në ujë që të mos nxihen duke shtuar dhe pak kripë.

Vendosim mishin e grirë në një enë ku shtojmë qepën e grirë imët, hudhrat të prera në feta të holla, vezën, bukën e thërrmuar, majdanozin, rigonin dhe sodën e bukës. E punojmë mirë brumin e qofteve dhe realizojmë toptha të vegjel të cilat i skuqim me pak vaj.

Patëllxhanët i skuqim lehtë ose i vendosim për pak minuta në furrë. Më pas i hapim një vizë në mes që të mbushen me djathë kaçkavall, vendosim nga dy qofte të vogla dhe një domate qershi në mes.

Tek salca e domates shtojmë pak vaj ulliri, kripë dhe piper. E trazojmë mirë salcën dhe e hedhim mbi patëllxhanët. E vendosim tavën në furrë të parangrohur në temperaturën 180 gradë Celsius për 20 minuta.

Ndërkohë përgatisim një salcë të bardhë për shoqërimin e tavës me patëllxhanë dhe qofte. Në një tas vendosim kosin, majonezën, kripën, piperin e kuq, xhinxhërën dhe hudhrën të shtypur mirë. I trazojmë mirë derisa të bëhet një salcë e njëtrajtshme.