Lazim Latifi rrëfen si ka ndryshuar jeta e tij pas aksidentit që i mori njerën këmbë. Pasioni për sportin ka bërë që ai mos dorëzohet, por të ndjekë ëndrrën e vet.
I ftuar në emisionin “Rreze Dielli” inxhinieri dhe sportisti Lazim Latifi rrëfen se 6 vite më parë humbi këmbën në një aksident rrugor. ”Deri në moshën 45 vjeçare isha një njeri normal që e jetoja jetën në mënyrën më të mirë të mundshme fare i shpenguar, ndërsa më pas, pata momentin më të vështirë të jetës time, një aksident automobilistik” - e nis kështu rrëfimin prekës Lazim Latifi.
Ai humbi këmbën, por jo besimin, pasi gjeti forcë tek familja për të vazhduar përpara, duke mos rënë në pesimizëm. Falë bashkëshortes, dy fëmijëve dhe besimit në Zot, ai mundi të dilte nga momenti i vështirë, por një sfide e re i doli përpara, beteja ligjore për të kërkuar drejtësinë. Latifi tregon se pas vendosjes së protezës i lindi ideja që të merrte pjesë në maratona dhe ndeshje futbolli dhe sot është pjesë e ekipit Italian të futbollit të personave të amputuar.