‘I prem gërshetin,jeta e saj është në rrezik’/Apeli i nënës së vogëlushes me tumor

23 Qershor 2021, 19:19

Këto janë fotot e një 10-vjeçare, e cila 12 ditë më parë do të kishte një jetë të lumtur sit ë gjithë bashkëmoshatarët e saj. Por një hematomë në shpatullën e saj të brishtë, që u vu re nga nëna e saj do të trondiste familjen nga Policani. Nikol Dashi u dërgua nga prindërit me urgjencë në spitalin e Beratit e më pas në Tiranë, aty ku pas ekzaminimeve të njëpasnjëshme diagnoza përcaktoi se vogëlushja vuante nga një tumor. Mungesa e kurimit të specializuar në Shqipëri, bëri që bashkë me prindërit, një ditë pasi festoi ditëlindjen e saj të 10-të, Nikol udhëtoi drejt Turqisë, për kurim në një nga spitalet më të specializuar. Pas konsultave të mënjëhershme e mitura ka mëse 5 ditë që i është nënshtruar seancës së parë të kimioterapisë, seancë e cila nuk ka përfunduar pasi për familjen Dashi ka një kosto të lartë prej 16 mijë euro. 60-70 përqind janë shanset për të jetuar, një lajm ky që i është komunikuar nga mjekët më të mirë që kanë marrë përsipër kurimin e 10-vjeçares. Kurimi do të vijojë edhe me 5 seanca, kur më pas vogëlushja do t’i nënshtrohet edhe një ndërhyrje të vështirë kirurgjikale. Vajza e qeshur, e cila është bërë pjesë e spoteve në kauza të forta shoqërore, sot është ajo që ka nevojë për ndihmë. Le t’i rikthejmë buzëqeshjen Nikol, vajzës së vogël e cila lufton çdo ditë për jetën, mes dhembjeve të forta dhe trishtimit që i ka zbehur shkëlqimin në sytë e qëshur. Në shtëpi e pret edhe motra 7 muajshe, së cilës nuk ia dhuron dot prej kaq ditësh një përqafim të ngrohtë.