“Rreze Dielli” udhëton vetëm pak kilometra larg Tiranës, në vendin e lakmuar kohët e fundit për ata që duan t’i largohen zhurmës, smogut, dhe vapës së madhe të kryeqytetit. Ndodhemi në Lundër! Në Kantinën e verës së familjes Tufa! Familja autoktone Tufa ka ngritur kantinën madhështore të verës, të vendosur mbi një kodër të rrethuar me një vreshtari gjigande, të mrekullueshme. E themeluar në vitin 1992 nga zoti Xhevdet Tufa, Kantina Lundra është një dëshmi e pasionit të palëkundur të familjes Tufa, për të ruajtur traditën e vreshtarisë shqiptare.
Vreshta të tilla jemi mësuar të shohim në Toskana të Italisë, por… jemi në Lundër, në familjen me guximin e tejskajshëm, e cila ka shkrirë historinë, pasionin, dëshminë e përkushtimin për të ruajtur traditën dhe përmirësuar cilësinë! E vendosur mes 65 hektarësh me vreshta dhe ullishte mahnitëse, Kantina Lundra gëzon një mikroklimë unike mesdhetare, ideale për prodhimin e verërave të jashtëzakonshme të cilësisë më të lartë. Përveç vreshtave, familja Tufa i ka kushtuar rëndësi edhe ullishteve, me sipërfaqe të tëra në tokën e bekuar, duke prodhuar vaj ulliri ekstra të virgjër. Agronomi Roberto Puglisi dhe Enologu Gianfranco Cordero, dy profesionistë italianë rrëfejnë eksperiencën e tyre në kantinë, bashkëpunimin me vëllezërit Tufa dhe tregojnë hapat e prodhimit të verës nga vreshtat në gotë.