Kek me mollë, rrush të thatë, konjak dhe kanellë
Përbërësit:
- 2 mollë
- 2 vezë
- 130 gr sheqer
- 150 gr miell
- 100 ml vaj luledielli ose ulliri
- 1 pako fryrës për ëmbëlsira
- 60 gr rrush i thatë
- 1 lugë çaji kanellë pluhur
- ½ filxhan kafeje konjak ose rum
- Lëngu i ½ limoni
- Pak sheqer dhe kanellë
Përgatitja:
Vendosim rrushin e thatë në ujë të nxehtë për 10 minuta. E shtrydhim mirë dhe shtojmë: konjakun, lëngun e limonit dhe kanellën. E lëmë mënjanë të marinohet. Ndërkohë qërojmë mollët, i presim në kubikë dhe i lëmë mënjanë (½ e një molle e lëmë për sipër në fund). Rrahim vezët me sheqerin derisa masa të zbardhet. Shtojmë vajin, më pas shtojmë miellin e situr me fryrësin dhe e përziejmë derisa masa të bëhet homogjene. Në fund shtojmë mollët dhe rrushin e përgatitur duke e përzier lehtë me lugë. Hedhim masën në një tepsi të shtruar me letër furre. E hapim mirë në sipërfaqe. Sipër vendosim fetat e mollës, pak sheqer dhe kanellë. E pjekim në furrë të parangrohur në 180°C për 40–45 minuta. E nxjerrim nga furra, e lëmë të ftohet pak dhe më pas e shërbejmë.





















