Kërkon Mimozën shokon nëna/‘Tentoi të abuzonte mbi mua, njerku më martoi me 70-vjeçarin’

7 Prill 2022, 19:04

Historia tragjike e një gruaje nga Kuçova erdhi puntantën e kësaj të enjte në studion e emisionit ’Pa Gjurmë’ në Report TV. Dituri Rrokaj rrëfeu një jetë si nëpër filma, që nga tentativa e njerkut për ta abuzuar seksualisht e deri tek humbja e vajzës, të cilën e kërkon prej 35 vitesh. Pas divorcit të prindërve, Dituria jetoi në një banesë me nënën dhe njerkun, i cili tentoi disa herë të abuzojë mbi të miturën, deri ditën që e martoi me një 70-vjeçar. Ajo sjell në kujtesë mes lotësh një të shkuar pa fëmijëri, momentin kur la kukullat dhe nga dera doli me vellon e bardhë. Një martesë e pazakontë që zgjati vetëm 3 muaj, pasi me ndihmën e institucioneve Dituria u strehua në shtëpië e fëmijës në Tiranë. Nuk e njohu kurrë dashurinë, përveç vuajtjeve që i shkaktuan burrat që hynë në jetën e saj. Në moshën 19-vjeçare Dituria do ta dorëzonte jetën në duart e një tjetër burri. Naimi ishte një njeri problematik i cili do të shkaktonte tek ajo një tjetër traum. Mes kërcënimeve ai e detyronte të kryente marrëdhënie seksuale në këmbim të parave. Më 19 janar të vitit 1984, Dituria sjell në jetë vajzën me emrin Mimoza, tek e cila pa motivin për të ecur përpara. Por vitet më pas nuk do të ishin të lehta për një nënë, e cila kishte mbetur mes katër rrugëve me një vajzë dy vjeçare. Pas disfatave të njëpasnjëshme, martesa me Avdiu Xheladini në vitin 1987 do ta fundoste përgjithnjë. Dhuna barbare në këtë marrëdhënie do ta çonte drejt depresionit dhe marrjen e një vendimi fatal, pas të cilit nuk do të mësonte më kurrë për fatin e vogëlushes që mbeti tek njerku në Fushë-Arrëz. Iu desh një kohë e gjatë rehabilitimi pas depresionit, kohë në të cilën nuk mori më kurrë informacion për të bijën. Nuk mundi të bëhej nënë sërish, sot Dituria është në kërkim të vajzës së vetme me emrin Mimoza, pas cilës mban të mbërthyera shpresat prej më shumë se 3 dekadash.