Kosovari që 'pushtoi' mediat botërore me portretin e Joe Biden

9 Nëntor 2020, 11:21

Në një intervistë në ‘’ Rreze Dielli’’ ishim me artistin kosovar Alkent Pozhegu, i cili së fundmi ka qenë në vëmendjen e medias ndërkombëtare për potretin mozaik të presidentit të sapo zgjedhur amerikan Joe Biden.

‘’ Këtë mozaik të Joe Biden e kam realizuar brenda ditës, kam filluar në orën 9 në mëngjes dhe rreth orës 3 në mesditë e kam përfunduar sepse më është dashur të koordinohem me një mik timin, fotograf që ta realizojë pak më herët, t’i bëjmë disa fotografi dhe t’i dërgojmë në agjensinë franceze dhe t’i publikojnë’’ tha ai.

Mozaiku është realizuar në mënyrë të veçantë nëpërmjet drithërave:

‘’ Mozaiku është realizuar me oriz, fara luledielli, misër i bardhë, i kuq dhe grurë’’ tha artisti Pozhegu.

Ndërsa shprehet se momenti më i veçantë ishte kur fotografitë e punimit të tij janë publikuar në gazetën prestigjoze Neë York Times, duke u zgjedhur fotografia e ditës.

Artisti Kosovar ka qenë edhe më parë në vëmendjen e mediave të ndryshme prestigjoze ndërkombëtare. Ai ka realizuar mozaikë të personazheve të ndryshëm si ai i ish-presidentit Donald Trump, këngëtares Rita Ora etj, ndërkohë që ka thyer dhe rekordin Guiness me mozaikët e tij.