Luftar Paja: Regjisorët tanë të pakualifikuar, kemi talente që i duhet dhënë dorë.

3 Tetor 2018, 14:42 | Përditesimi i fundit: 2018-10-03 14:43:20

Aktori i njohur i skenës dhe kinematografisë shqiptare Luftar Paja mendon se artit shqiptar i duhen regjisorë më të kualifikuar. Vetë aktori, i ftuar në emisionin e mëngjesit "Rreze Dielli" në Report Tv është shprehur se Shqipërisë nuk i kushton gjë të investojë për të kualifikuar 1 kast regjisorësh në vende më të specializuara.

Unë e kam thënë dhe vazhdoj ta them deri sa të mbyll sytë: Shqipëria ka nevojë për kualifikim të regjisorëve.Çfarë i kushton Shqipërisë që të nisë 10 apo 15 regjisorë të shkojnë jashtë shtetit në vende më të specializuara si në Londër apo Paris dhe tek e fundit do na kthehen 2 të mrekullueshëm. Atëherë do ta ndryshojmë çik pamjen e kësaj e kësaj pune.

Luftar Paja, aktor

Duke kërkuar sërish mendimin e aktorit , moderatori Alban Musa ka ndërhyrë duke thënë se në vendin tonë ekziston një shkollë për regji. Pyetjes nëse Universiteti i Arteve nxjerr regjisorë të mirë , Paja i është përgjigjur duke thënë se me kërkesat e sotme ne jemi hapa mbrapa.

Mua edhe më janë zemëruar pak nga një takim që pata, sepse thashë që duhet parë kualifikimi duke filluar që nga Universiteti i Arteve edhe mbrapa. Unë e kam me këtë kuptim. Ky është personeli që shërben në këto vende shqiptar, ky është spektatori shqiptar, ky është artisti shqiptar, hajde ta kualifikojmë më tej. Me gjithë respektin, unë nuk e kam që ata janë të paaftë, por në krahasim me kërkesat që janë sot në këtë kohë atëherë jemi mbrapa. Me pak mundim, me pak shpenzim , duhet të lëvizë kjo punë tek ne. Nga përvoja e jetës time artistike, unë shikoj që ka talente të cilëve iu duhet dhënë dora.

Luftar Paja, aktor

Luftar Paja është një prej aktorëve që ka kontribuar më së shumti në kinematografinë shqiptare, për të cilat edhe është nderuar me çmimet "Artist i merituar" dhe "Artist i popullit" .