Ndryshimet gjuhësore, gazetarja Anisa Ymeri: Që prej 1972-shit nuk kemi asnjë organ vendimarrës

31 Janar 2019, 15:45

Gjithnjë e më shpesh, po zbulojmë se fjalë të cilat jemi mësuar ti shqiptojmë në një mënyrë të caktuar, në fakt shkruhen ndryshe në fjalorin e gjuhës shqipe. Një problem i tillë duket se po vihet re edhe në botimet e librave për fëmijë, ku shpesh fjalë të caktuara tingëllojnë kaq të çuditshme si “rinoqeronti” që në fakt të gjithë e shqiptojmë “rinoceronti”.

Ishte pikërisht ky fenomen që doli në pah gjatë bisedës në emisionin “Rreze Dielli” sot në Report TV ku në fokus ishin librat për fëmijë. Gazetarja Anisa Ymeri risolli në vëmendje se në Shqipëri ka 47 vite që nuk ka një organ vendimarrës për të bërë ndryshimet gjuhësore të nevojshme për ato fjalë që kanë përdorim të gjerë në popullsi.

“Nuk ka një organ vendimarrës sot që ti bëjë këto ndryshime gjuhësore. Ky është një debat shumë i madh mes gjuhëtarëve dhe sigurisht ka patur debate publike edhe të ashpra. Por, nëse vendet e tjera, nuk po shkoj në Francë apo në Itali, por edhe në Maqedoni ka një Këshill për gjuhën shqipe i cili mblidhet sa herë e kërkon nevoja dhe merr vendime të caktuara për fjalë të caktuara për të bërë ndryshime apo për të futur fjalë të reja etj.  Ne nuk kemi që pas 1972-shit asnjë organ tjetër vendimarrës që të bëjë ndryshimet e nevojshme që dalin si pasojë e përdorimit të gjerë të një fjale, sepse një fjalë korrekte shqipe është ajo që ka përdorim më të gjerë dhe këtë e thonë gjuhëtarët. Merren natyrisht vendime arbitrare në gjuhë por nuk duhet të jenë të përjetshme. Sepse nëse ne i themi dixhital, s'ka pse të jetë digjitale”,- tha Ymeri.

E ftuar në studio ishte edhe përkthyesja dhe kryeredaktorja e shtëpisë botuese “Pegi” Aida Baro e cila pranoi se ka shumë fjalë që nuk përkojnë me mënyrën se si shqiptohen nga masa. E tillë ishte dhe fjala digjitale, që pjesa dërrmuese e shqiptonte prej dekadash dixhitale, që shkaktoi jo pak reagime e polemika.

“Ka një mospërkim gjithmonë ndërmjet mes asaj që është shkruar dhe asaj që shqiptohet. Sepse janë disa fjalë që nuk janë të lindura nga shqipja si rinoceront apo kompjuter. Mbaj mend përvec fjalës Siçili, dikur thuhej Siqeli dhe në bazë të fjalorit shkruhet Sicili dhe rinoceronti shkruhet me “q” në fjalor.”