Pa Gjurme-Humb kontaktet me të dashurën, i riu kuksian shpërthen në lot:Ku je Xhesi?

18 Janar 2022, 18:04

 

Një dashuri e pamundur nga një histori e pazakontë është ajo e dy të rinjve 25-vjeçares Xhesi Enxhi nga Rubiku dhe 29-vjeçarit nga Kukësi Edison Sulmataj, i cili është në kërkim të saj. Një lidhje në distancë, gati platonike, kjo marrëdhënie nuk u finalizua kurrë pasi dy të rinjtë nuk mundën të takoheshin për shkak të fatkeqësive që ndodhën njëra pas tjetrës. Ata u njohën 7 vite më parë krejt rastësisht, nga një numër telefoni. Zëri i vajzës nga Rubiku do t’i bënte përshtypje djalit nga Kukësi. Kaq mjaftoi që të dy të nisnin bisedat e gjata me telefon deri në orët e vona të natës. Ata vendosën që të finalizonin njohjen e tyre me një takim që nuk ndodhi kurrë. Ditën që vendosën të shiheshin ballë për ballë 29-vjeçari Edison Sulmataj humbi nga kjo jetë babain e tij. Si për ironi të fatit, pak ditë më pas 17-vjecarja mbetet e dëmtuar rëndë në kokë pas një aksidenti automobilistik në Rrëshen. Ajo dërgohet me urgjencë në Tiranë, por nevoja për trajtim më të specializuar e bëri të udhëtonte në një spital në Stamboll. E shoqëruar nga vëllai i saj Ylberi, që nga ai moment Enxhi ka vazhduar trajtimet spitalore në Turqi për vite me radhë. Ajo arriti të lidhte kontaktet me Edisonin, sërish në distancë duke i premtuar një bashkim të mundshëm.