Zhduket 19 vjeçari/Babai dyshime për grupin ISIS

6 Janar 2022, 18:28 | Përditesimi i fundit: 2022-01-06 20:15:06

Në emisionin ’Pa Gjurmë’ në Report TV puntatën e kësaj të enjte erdhi në fokus historia e zhdukjes së një riu dibran. Ardian Pali rezulton i humbur që prej datës 19 maj të vitit 2020. I ftuar në studio, Zabit Pali, babai i 19-vjeçarit rrëfen si i biri u zhduk pas shpinës të tij duke mbledhur bimë medicinale në malin e Korabit në kufi me Maqedoninë e Veriut. Ata kishin dy ditë, që qëndronin në Bjeshkë, ku kishin ngritur edhe një çadër. Pasi kishte lënë aty sasinë e bimëve të mbledhura djali i vetëm i familjes Pali humbi gjurmët. Në studio me gazetaren Odeta Dume, babai zbulon lidhjet që i biri kishte patur me një grup personash në qytetin e Durrësit, sipas tij pjesë e ISIS. Ardiani kishte vite që jetonte larg familjes, pasi ndiqte gjimnazin në qytetin bregdetar. Babai thotë se nga kërkimet 4 ditore bërë nga policia shqiptare dhe maqedonase me angazhimin e 150 vetave në zonë u gjet trupi i pajetë i një shtetasi sirian, por jo gjurmë të Ardianit. I riu mendohet të ketë humbur gjurmët në vendin e quajtur "Përroi i thellë" afër Rekës së Epërme, në fshatin Tanushë. Deri më sot nuk ka asnjë adresë apo lajm për fatin e 19-vjeçarit.