Paralajmërimi i Vangjelit: Në 18 dhjetor dhe më tej mund të kemi dorëheqje masive nga mbështetësit e Bashës

14 Dhjetor 2021, 08:21

Për analistin Lorenc Vangjeli, kryetari i PD-së duhet të ishte dorëhequr që në Prill pas humbjes në zgjedhjet e përgjithshme. Sipas tij, kjo do të kursente të gjithë këtë luftë që po zhvillohet prej disa muajsh mes Bashës dhe Berishës.

Vangjeli habiti jo pak në studion e ‘Kontrast’ me parashikimin e tij. Ai tha se në prag të Kuvendit të thirrur nga Basha, por edhe pas tij, do të pasojnë dorëheqjet e personazheve të njohur në PD.

“Sot jemi në një moment që zoti Basha ende nuk e ka kuptuar se ç’po ndodh. Unë madje mund t’ju parathem se me siguri se para dhe pas të shtunës do të kemi tekstin e dorëheqjes kolektive të shumë personazheve të njohur të Partisë Demokratike. Me frazën ‘duke dashur të shmangim përçarjen e PD etj etj”… Pra të njerëzve pranë Bashës. Unë nuk po them se kemi të bëjmë me një dorëzim, por loja ka mbaruar që në momentin kur Sali Berisha njëlloj si strategët duke pasur të gjitha rrethanat dhe SHBA-të kundër, arriti të mposhtë një armik të dobët si Basha në rolin e kundërshtarit të tij, i cili duhet të kishte ikur në Prill thjesht si humbës. Atë që duhet të kishte ndodhur muajin e fundit të pranverës së këtij viti, po e shohim të ndodhë në muajin e parë të këtij dimri” – tha Lorenc Vangjeli. Sipas tij, Kuvendi i datës 18 dhjetor është ne dyshim nëse mund të mbahet. “Me gjasë, në dyert e Pallatit të Kongreseve do të ketë “filtra” njerezorë që do të pengojnë hyrjen e delegatëve në sallë. Dhe kjo do të jetë vetëm ajo që do të duket, sepse ndalesat do të jenë edhe më të mëdha”, tha Vangjeli.