Patate të mbushura me gjoks pule dhe djath kaçkavall nga zonja Albana

28 Tetor 2022, 10:32

Patate të mbushura

Përbërësit:

  • 4 patate të mëdha
  • 1 gjoks pule
  • 2 lgj vaj ulliri
  • 2 lgj gjalpë
  • ½ qepë të thatë
  • 100 gr bizele
  • 100 gr kërpudha
  • 150 gr djathë kaçkavall
  • Pak qumësht
  • Kripë, piper i zi, piper i kuq

Përgatitja:

Patatet i lajmë mirë dhe ashtu siç i kemi pa i hequr lëkurën i presim në mes për së gjati dhe i mbështjellim me letër pjekje. I vendosim në furrë të parangrohur të piqen në 200 gradë Celsius për rreth 40 minuta.

Me pak gjalpë dhe vaj ulliri kaurdisim gjoksin e pulës të prerë në kubikë të vegjël. Ndërkohë kemi nxjerrë patatet e pjekura nga furra, i kemi lenë të ftohen pak dhe me ndihmën e një luge të vogël krijojmë hapësirën ku do të vendoset mbushja. Pjesën e larguar e shtojmë tek copëzat e pulës së bashku me kërpudhat e grira imët dhe bizelet. Vazhdojmë kaurdisjen duke shtuar pak kripë dhe piper. Pas 3-4 minuta shtojmë pak qumësht në tigan dhe i lëmë të gjithë përbërësit të lidhen. Në fund shtojmë gjysmën e sasisë së djathit kaçkavall të grirë në rende dhe majdanoz.

Me masën e përgatitur mbushim patatet, i spërkasim në fund me pjesën e mbetur të djathit dhe i vendosim në një tavë ku shtojmë në anë pak qumësht. E vendosim tavën në furrë të parangrohur në temperaturën 200 gradë Celsius për 20 minuta.