Petulla në xhezve me sherbet nga zonja Albana

10 Mars 2022, 12:31

Petulla në xhezve me sherbet nga zonja Albana

Përbërësit:

Për brumin:

300 gr miell

1 bustinë vanilje

1 lç sheqer

1 lç kripë
½ fç ujë
1 lgj uzo
1 vezë

Vaj për skuqje
Për sherbetin:
200 ml ujë
150 gr sheqer
3 lgj mjaltë
Bajame ose arra për servirje

Përgatitja:

Fillimisht përgatisim sherbetin. Në një tenxhere hedhim sheqerin dhe ujin dhe sapo uji të marrë valë e lemë 5 minuta dhe më pas shtojmë mjaltin. E largojmë tenxheren nga soba dhe e lemë të ftohet.

Ndërkohë përgatisim brumin e petullave. Hedhim miellin në një tas të madh, hapim në qendër një hapësirë ku shtojmë ujin e përzier me uzon, sheqerin, kripën dhe vaniljen. Hedhim dhe një kokërr vezë dhe e punojmë mirë brumin derisa të fitojë elasticitet. Më pas e lemë brumin të pushojë për disa minuta.

E ndajmë brumin e petullave në kuleçë të vegjël dhe më pas hapim petullat në petëza të holla. Në një xhezve çaji hedhim vaj deri në mes të xhezves. E lemë të nxehet dhe vendosim petullën e parë duke e kapur në qendër dhe duke e hedhur në xhezve të rrudhosur. E lemë të skuqet nga njëra anë dhe më pas me pirun e shtyjmë në brendësi të xhezves dhe e kthejmë nga ana tjetër. Kështu veprojmë me të gjitha petullat dhe më pas i sherbetosim. I lemë t’a përthithin mirë sherbetin dhe i servirim me bajame ose arra të thërrmuara.