Qofte me pure dhe salcë nga zonja Albana

3 Tetor 2022, 10:30

Qofte me pure dhe salcë

Përbërësit:

Për purenë:

  • 5 patate të ziera
  • Qumësht sa të marrë
  • Kripë, piper

Për qoftet:

  • 500 gr mish të grirë
  • 1 qepë mesatare
  • 2 thelpinj hudhër
  • ½ gotë çaji miell misri
  • 1 kokërr vezë
  • Pak spec djegës
  • Kripë, piper i kuq
  •  
  • Për salcën:
  • 1 lgj salcë koncentrat
  • 1 fç salcë domate
  • ½ lç sheqer
  • 1 gotë ujë të ngrohtë
  • ½ tufë majdanoz
  • Kripë, piper i zi

Përgatitja:

Fillimish vendosim patatet të ziejnë. Sa patatet ziejnë përgatisim brumin e qofteve. Vendosim në një tas mishin e grirë, qepën e grirë imët, hudhrat e shtypura ose në feta imët, miellin e misrit, vezën, kripën dhe piperin. E punojmë mirë brumin e qofteve dhe e lemë për pak minuta të pushojë. Më pas realizojmë qofte të vogla sa një kokërr arre të cilat i skuqim lehtë në një tigan me vaj të nxehtë. Largojmë qoftet nga tigani dhe përgatisim salcën shoqëruese. Shtojmë në tigan salcën e domates së bashku me koncentratin. Balancojmë aciditetin e domates me pak sheqer, shtojmë 1 gotë ujë të ngrohtë dhe e lemë të marrë valë. Rregullojmë shijen me kripë, piper dhe e lëmë salcën të lidhet. Vendosim tek salca qoftet e përgatitura duke i spërkatur me majdanoz të grirë.

Patatet e ziera i shtypim mirë shtojmë qumësht, kripë, piper dhe e punojmë purenë derisa të marrë formën e duhur. E servirim në një pjatancë duke vendosur sipër qoftet me salcën e domates.