A mendoni se portokalli është burimi më i pasur i vitaminës C? Po sikur t’ju themi se një perime e përditshme mund të përmbajë edhe më shumë? Sa mirë i njohim realisht ushqimet që konsumojmë dhe vlerat e tyre ushqyese? A është gjithmonë fruti ai që fiton, apo ndonjëherë perimet e kalojnë? Kush ka më shumë vitaminë C: speci apo portokalli? Sa i rëndësishëm është fakti i konsumimit të frutave dhe perimeve sipas sezonit të tyre? Kush rekomandohet për virozat, speci apo portokalli? Me nutricionistin Altin Joka, zbulojmë dhe thyejmë disa mite të zakonshme mbi ushqimin dhe shëndetin.
Joka në emisionin “Rreze Dielli” u shpreh se të shumtë janë ata që besojnë se në kohë virozash, konsumimi i specit të kuq në vend të portokallit është më i mirë sepse ka nivele më të larta të vitaminës C. Nutricionisti shpjegoi se gripi është infeksion viral dhe lidhet me sistemin tonë imunitar, ndaj nuk varet vetëm nga një vitaminë. Ai e vuri theksin tek konsumimi i agrumeve në përgjithësi. “Në dimër duhen konsumuar agrumet, sepse përmbajnë substanca që rrisin nivelin e qarkullimit të gjakut, ulin ndjesinë e të ftohtit, pra rregullojnë temperaturën e trupit. Në dimër ne kemi nivele të ulta të acidit gastrit, agrumet mbrojnë mukozën e zorrëve dhe stimulojnë enzimat”, tha Joka. Nutricionisti shpjegoi gjithashtu se aroma e agrumeve aktivizon nervin vagus, ul nivelin e kortizolit dhe rrjedhimisht edhe nivelin e stresit. “Agrumet rrisin përthithjen e hekurit më tepër sesa speci, i cili krijon fryrje. Ato ulin dëmtimet e ADN-së. Speci është i mirë të konsumohet në verë, por rrit fryrjen dhe shton nivelin e stresit fiziologjik kur e krahasojmë me agrumet”, përfundoi Joka.





















