Supë me pashaqofte nga zonja Albana

30 Shtator 2022, 10:32

Supë me pashaqofte

Përbërësit:

  • 200 gr mish i grirë
  • 1 qepë
  • 3 lgj oriz
  • 2 kokrra vezë
  • 1 lgj gjalpë
  • 1 lgj miell
  • 1 gotë qumësht
  • 1 limon ose limontoz
  • Majdanoz
  • Kripë, piper

Përgatitja:

Orizin pasi e kemi shpëlarë e vendosim të ziejë (jo plotësisht) dhe më pas e bashkojmë me mishin e grirë, qepën e grirë imët, majdanozin, kripën, piperin dhe të bardhat e vezëve. E punojmë mirë brumin e qofteve dhe realizojmë qofte rrumbullake të vogla. Në një tenxhere vendosim ujë me pak limontoz dhe sapo të marë valë shtojmë qoftet e përgatitura. Pasi qoftet të kenë kaluar për disa minuta në proces i largojmë me një lugë me vrima.

Në një tigan kaurdisim gjalpin me pak miell dhe sapo mielli të marrë pak ngjyrë shtojmë qumështin. Masën e përgatitur e shtojmë në lëngun e qofteve së bashku me të verdhat e vezëve të cilat i rrahim lehtë me pirun. E trazojmë mirë supën dhe në fund shtojmë qoftet, pak majdanoz të grirë dhe lëng limoni.