Në skype nga Berlini, shqiptari i Maqedonisë Adrian Elmazi rrëfen historinë e tij të suksesit në fushën e gastronomisë. Takimi me aktoren italiane Monica Bellucci i ndryshoi tërësisht jetën, duke hapur restorantin e njohur me emrin “Bellucci”, në qendër të Berlinit, ku gatuhen specialitete italiane…
Adrian Elmazi nëpërmjet një lidhje skype nga Berlini me studion e “Rreze Dielli”, rrëfen historinë e tij të emigrimit nga Maqedonia në Gjermani fillimisht për të ndjekur si çdo i ri ëndrrën për tu bërë aktor, ëndërr e cila nuk iu realizua, por që iu përmbush me një tjetër pasion të cilin e kuptoi pas një kalvari punësh në fillim si pjatalarës, më pas si menaxher restoranti. Gjatë edukimit të tij në fushën e hotelerisë përgjatë një tour-i në Europë, një takim me aktoren e famshme Monica Bellucci i ndryshoi jetën Adrianit. “Ajo më magjepsi aq shumë me personalitetin e saj të madh, sharmin dhe standardet e saj, saqë e dija që restorantin tim do ta emëroja me emrin e saj” shprehet ai. Fillon të punojë fort për njohjen e gastronomisë dhe sot drejton një nga restorantet më të njohur në Berlin, Restorant Bellucci. “Monica Bellucci më ka sjellë vërtet fat dhe shpresoj që një ditë ajo të vizitojë restorantin tim” kështu e mbyll intervistën Adriani nga restoranti i tij në Berlin.